Zyrtarët që paguhen pa pasur dëshmi për punë, ky është arsyetimi i MMPH-së
Me vendim të Qeverisë dhe marrëveshjes së Brukselit në vitin 2016 ishte shuar e ashtuquajtura ‘Mbrojtja Civile” në veri të Mitrovicës.
38 zyrtarët e kësaj zyre të mbetur pa punë, ishin angazhuar në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ku ishin shpërndarë në departamente të ndryshme dhe agjencione të kësaj ministrie.
Mirëpo, R (ZKA) ka evidentuar një parregullsi për ‘zyrtarët e veriut’.
Sipas këtij raporti, Ministria për vitin 2017 ka paguar 164 mijë e 21 euro për këta zyrtarë, ndonëse dëshmi që kanë punuar, nuk ka.
“Mungesa e dëshmive për vijim në punë. Me 11.01.2016 ishte shuar e ashtuquajtura ‘’Mbrojtje civile’’ në pajtim me Marrëveshjen e Brukselit të datës 26 mars 2015 dhe Vendimit të Qeverisë. Në MMPH janë angazhuar 38 zyrtarë të shpërndarë në departamente të ndryshme dhe Agjencione të MMPH, për të cilët ministria nuk kishte arritur të ju siguroj zyre në veri të vendit. Ministria nuk ka dëshmi që këta zyrtarë kanë punuar gjatë vitit 2017. Vlera totale e pagave bruto të paguara nga ministria për vitin 2017 ishte 164,021€”, thuhet në këtë raport.
Indeksonline ka kontaktuar me zyrtar për komunikim publik në këtë ministri për të kuptuar se pse nuk ka dëshmi pune.
Në një përgjigje të tyre për portalin ka thënë se arsyeja pse nuk ka dëshmi që kanë punuar në ministri është mungesa e një aparature për evidentimin e vijushmërisë në punë.
“Ne pamundësi te vendosjes se aparaturës për evidentimin e vijueshmërisë ne pune, rrjedhimisht kësaj zyrtaret ne fjale e kane pasur te pamundur te evidentohen ne Hyrje/dalje”, thuhet shkurt në përgjigjën e tyre.
Tutje, në përgjigjën e tyre e arsyetojnë mungesën e aparaturës duke thënë se puna e tyre ka qenë e monitoruar nga departamentet përkatëse.
“Mirëpo puna e tyre ka qene dhe është e monitoruar dhe në koordinim të plote me të gjitha departamentet përkatëse”, theksohet në këtë përgjigje me shkrim dhënë portalit.
Ata shtojnë se stafi është angazhuar në bazë të marrëveshjes politike dhe vendimit të Qeverisë ata janë të angazhuar nëpër shërbimet përkatëse.
“ Stafi i angazhuar në pjesën veriore të Mitrovicës kryen aktivitete në kuadër të shërbimeve të tyre dhe janë në kontakt të vazhdueshëm më udhëheqësit e shërbimeve por për shkak të rrethanave dhe pamundësisë janë të vendosur dhe të angazhuar në lokalitete të ndryshme të pjesës veriore”, thuhet ndër të tjerash në këtë përgjigje.
Raporti i Auditorit mungesën e dëshmive të vijueshmërisë në punë e kanë vlerësuar si rrezik që mund të ndikojë direkt në dëmtimin e buxhetit të shtetit.
“Mungesa e dëshmive të vijueshmërisë në punë, rrezikon që pagesat për paga të cilësohen si të pa rregullta që ndikojnë direkt në dëmtim të buxhetit”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Tutje, Auditori i rekomandon ministres së MMPH-së, Albena Reshitaj, që të sigurojë që të dëshmohet vijueshmëria e punëtorëve në punë, ashtu që pagesat e punëtorëve të janë në përputhje me ligjet e aplikueshme./Indeksonline/