16:39 / E Hënë, 12 Mars 2018

Kryeprokurori Syla: Prokuroria Speciale po e heton vrasjen e Ivanoviqit

Prokuroria Speciale është duke u marrë me rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, kështu të paktën ka deklaruar për “Indeksonline”, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Shyqyri Syla.

Ai ka treguar se hetimet për këtë rast janë duke vazhduar. Syla ka bërë të ditur se transferimi i hetimeve për këtë rast tek Specialja ka ndodhur pas një kohe të shkurtër.

“Hetimet për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit i ka Prokuroria Speciale, të njëjtat janë duke u zhvilluar, kam informata se transferimi i këtyre hetimeve është bërë qe 2 javë”, ka thënë Syla.

Kësisoj, , deri më tani, hetuesit dhe Prokuroria kanë nxjerrë disa kallëzime penale lidhur me këtë rast, por ende nuk ka ndonjë veprim konkret në asnjë të dyshuar për vrasjen e ish-anëtarit të Kryesisë së legjislativit të Kosovës, për disa legjislatura pas lufte.

Kujtojmë, se ish-kreu i iniciativës Qytetare “Liri”, Demokraci, Drejtësi, Oliver Ivanoviq  është qëlluar me armë zjarri në stomak para zyrës së tij në Mitrovicë. Vetura e personave që kanë gjuajtur Ivanoviqin është gjetur pastaj e djegur në Zveçan./Indeksonline/