19:08 / E Shtunë, 17 Nëntor 2018 / indeksADMonline

‘B.S.B Aviation’ pret licencimin e MPMS-së, Prokuroria ende po zhvillon hetimet

Kompania gjermane e ashtuquajtur ‘B.S.B Aviation’, javë më parë ka lëshuar njoftim për mundësi punësimi në Aeroportin e Hamburgut. Këtij konkursi i janë përgjigjur me mijëra kosovarë, duke e parë si një mundësi të mirë për punë jashtë vendit.

Mirëpo, kjo kompani është duke u hetuar në Kosovë për të siguruar provat nëse po kryhet ndonjë vepër penale. Kjo pasi as Ambasada Gjermane nuk ka njohuri për këtë kompani si dhe dyshimeve për numrin e lartë prej 2 mijë kosovarë që po pretendohen të punësohen në Aeroportin e Hamburgut. “Kompania në fjalë nuk është e njohur për Ambasadën Gjermane“, kanë thënë zyrtarë të Ambasadës për Indeksonline.

Mirëpo, B.S.B në njoftim në faqen e tyre në Facebook, disa ditë më parë kanë njoftuar aplikuesit se janë në pritje të licencimit për punë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Ne B.S.B Aviation ju njoftojmë që jemi në pritje të licencimit për punë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Zyra e cila ndodhët në Prizren, do të hapet pas konfirmimit dhe përshtatjes së ligjeve të Republikës së Kosovës. Posa të marrim vendimin e licencimit do të njoftoheni nga ne”, thuhet në njoftim të kësaj kompanie.

Komisioni i MPMS-së që bënë licencimin e ofruesve të shërbimeve të punësimit ende nuk informacion nëse kompania ka aplikuar apo jo për licencim.

“Komisioni i MPMS-së, që bënë licencimin e ofruesve jopublik të shërbimeve të punësimit, nuk ka pranuar ende informatë se a ka aplikuar apo jo kompania e referuar”, thuhet në përgjigjën e zyrtarëve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për Indeksonline.

Në përgjigjën e tyre bëhet e ditur se MPMS do të shqyrtojë të gjitha aplikacionet me kujdes dhe leja do tu jepet kur plotësohen kriteret.

“MPMS do të shqyrtoj me kujdes çdo aplikacion për licencim të ofruesve jo publik të shërbimeve të punësimit dhe do të veproj në përputhje të plotë me dispozitat e Udhëzimit Administrativ Nr 03 / 2015 për Licencimin e Ofruesve jo Publik të Shërbimeve të Punësimit si dhe Udhëzimit Administrativ Nr 02 / 2018 për Ndryshim Plotësimin e Udhëzimit Administrativ Nr 03 / 2015 për Licencimin e Ofruesve jo Publik të Shërbimeve të Punësimit. Udhëzimi Administrativ i përcakton kushtet dhe kriteret për licencim.

MPMS ka të drejtë për të kërkuar dokumentacion shtesë nga çdo kompani e cila aplikon për licencim”, thuhet mes të tjerash në përgjigjën e tyre.

Ndërsa, në një përgjigje me shkrim nga Prokuroria Themelore e Prizrenit bëhet e ditur se janë duke ndërmarrë veprime për të siguruar prova nëse është kryer apo po kryhet vepër penale nga kompania “B.S.B Aviation”.

“Duke u bazuar në kërkesën dhe në pyetjet tuaja, lidhur me kompaninë “B.S.B. Aviation”, e cila ka ardhur në Kosovë dhe u mundëson qytetarëve mundësi për punësim në kompaninë O.B.M “Aviation” në Gjermani, Prokuroria Themelore në Prizren, ju bënë me dije se është duke ndërmarrë veprime ligjore për të siguruar provat dhe informacionet e nevojshme nëse është kryer, apo po kryhet ndonjë vepër penale e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Indeksonline.

Sipas udhëzimit administrativ për ofruesit jopublik të shërbimeve rrethanat në të cilat leja mund të pezullohet apo anulohet është nëse pronari apo punonjësi janë të dënuar me aktgjykim të formës së prerë për veprën penale mashtrim ose kontrabandim me qenie njerëzore.

Indeksonline ka dërguar pyetje tek zyrtarët e Aeroportit të Hamburgut që disa javë, mirëpo që të njëjtit nuk janë përgjigjur./Indeksonline/