21:13 / E Martë, 25 Shtator 2018 / indeksADMonline

Kush e vrau Ahmet Krasniqin? Flet miku i tij Anton Quni

Të premten e kaluar dëshmori i kombit, Ahmet Krasniqi është rivarrosur në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë.

Varrimi i tij u bë me ceremoni shtetërore edhe pse ende nuk është bërë e ditur se kush e vrau ish-Ministrin e Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi.

Lidhur me gjithë këtë, deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni ka thënë se nuk ka informatë nëse është bërë ndonjë hetim lidhur me vrasjen e tij.

“As që kam informata nëse është bërë hetim. Pra nuk e di a ka pasur angazhim nga njësi të specializuara të Forenzikës apo të hetuesisë së veçantë, se është bërë autopsia apo a ka konkludime dhe a akne biseduar me dëshmitarë të ndryshëm. Nëse diçka është bërë atëherë është bërë në mënyrë përfaqësore”, ka thënë Anton Quni në  TV Dukagjini, transmeton Indeksonline.

Quni ka deklaruar se me Krasniqin nuk kishte vetëm biseda rreth zhvillimeve të atëhershme që kishin të bënin me gjendjen e sigurisë në Kosovë, por bisedat e tyre  ishin edhe të natyrave të ndryshme.

“Ashtu siç e thatë edhe ju për shkak të natyrës së kohës unë kam pasur me kolonelin Krasniqi takime javore, ku çdo fundjavë përmbledhje të informatave që siguroheshin nga njësitë e ndryshme dhe atë të cilën unë kam udhëheq, për të dhënat e serbëve në brezin kufitar edhe operacionet e njësive operative. Natyrisht se kemi pasur edhe biseda të natyrave të tjera jo vetëm lidhur me obligimet dhe përgjegjësitë por duke pasur parasysh se edhe para datës 21 shtator ka pas incidente të ndryshme, këto incidente ishin edhe paralajmërim se Ahmet Krasniqit mund t’i ndodhë më e keqja. Ka pas situata kur është ndaluar në rrugë apo janë çarmatosur truprojat e tij dhe janë bastis objektet”, ka thënë Quni.

Sipas tij të gjitha këto kanë qenë një lloj treguesi se jo të gjithë kanë një qëndrim pozitiv ndaj punës dhe asaj çfarë bënte Krasniqi.

Ish-Ministri i Mbrojtjes së Qeverisë në Ekzil, Ahmet Krasniqi ishte ekzekutuar në moshën 50 vjeçare më 21 shtator 1998 në Tiranë. Trupi i Krasniqit ishte varrosur fillimisht në varrezat e Sharrës, shumë afër mikut të tij, Azem Hajdari.

“Dyshimi kryesor është se urdhri erdhi nga Beogradi pasi interesi ishte që një figurë e tillë mos të ngrihet dhe të rrezikojë forcat serbe në Kosovë. Nuk duhet lënë anash faktorët dhe raportet tjera të cilat janë zhvilluar në Shqipëri, duke filluar nga profiterët e luftës, duhet ditur se lufta ka koston e vetë, ka nevojë për pajisje, teknologji, sofistikim dhe kanalet për t’u siguruar nuk janë gjithmonë ilegale dhe ato udhëhiqen nga njerëzit që i njohin këto punë. Është një pistë e cila duhet të hetohet se si kanë ardhur ato. Janë raportet e Ministrisë me UÇK-në pasi jo gjithmonë kanë qenë mendimet e njëjta për ngritjen ushtarake, janë raportet me institucionet e Shqipërisë. Tirana ka qenë vatër e shërbimeve sekrete, janë interesat e ngushta të fqinjëve e të tjera. Pra të gjitha këto e komplikojnë edhe më shumë situatën por për të dhënë edhe drejtimin duhur pasi rasti ka ndodhur në mes të Tiranës,atëherë askush nuk është më kompetent se udhëheqësit shërbimeve të atëhershme të Shqipërisë”, ka shtuar Quni./Indeksonline