07:22 / E Hënë, 22 Janar 2018 / indeksADMonline

Me afro 99 për qind të votave – si u rikthye Albin Kurti në krye të VV-së

Albin Kurti ka rimarrë timonin drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje pas tre vitesh, të cilat u shënuan me rritjen në vota të partisë por edhe ndarjen e saj në dy grupe. Kurti fitoi afër 99 për qind të votave në zgjedhjet për kryetar të Vetëvendosjes.

Albin Kurti kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje në janar të vitit 2015, kur kishte publikuar një letër sqaruese për këtë vendim dy muaj para zgjedhjeve të brendshme në Lëvizje.

Në atë letër, Kurti kishte theksuar se arsyeja kryesore që ai nuk do të kandidonte për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje në vitin 2015 kishte të bënte me mungesën e dëshirës për të punuar në bazë, dhe dëshirën e shprehur për të punuar në terren.

Kurti kishte thënë se “nga menaxhimi prej lart duhet të kthehet te puna poshtë, në mënyrë që ta lartësojë organizimin” e në këtë mënyrë të tentojë ta “zvogëlojë aspektin reprezentativ për ta rritur atë organizativ”.

Dy muaj pas kësaj letre të Kurtit, Visar Ymeri ishte zgjedhur kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje. Ai ishte kandidat i vetëm në zgjedhjet për kryetar të VV-së në mars të vitit 2015. Kishte marrë mbi 97 për qind të votave pro.

E teksa Kurti po punonte me qendrat dhe pikat e Lëvizjes Vetëvendosje në terren, organizata të cilën ai kishte udhëhequr që prej themelimit të saj në vitin 2005, po shënonte rritje në zgjedhjet parlamentare e lokale në vend.

Krahas rritjes, në organet e larta të partisë kishin filluar ndasitë ideologjike, që çuan ndarjen e Vetëvendosjes në grupe. Përçarja e partisë që udhëhiqej nga Visar Ymeri kishte nisur vetëm një vit pasi deputeti i VV-së kishte marrë drejtimin e partisë.

Kjo ndarje ishte bërë publike tek në fund të vitit 2017, kur një bashkëbisedim mes deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje në platformën komunikuese Viber, deputetja Aida Dërguti e kishte ofenduar Albin Kurtin.

Përçarja të cilën anëtarët e Vetëvendosjes e kishin pranuar se kishte ndodhur një vit e gjysmë përpara se të publikoheshin këto mesazhe në Viber, kishte marrë efekt pas polemikave publike mes deputetit Dardan Molliqaj dhe kryetarit Visar Ymeri, me Albin Kurtin.

Visar Ymeri dha dorëheqje nga pozita e kryetarit, dhe rrugën e tij e pasuan edhe dhjetëra anëtarë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët dhanë dorëheqje nga funksionet e tyre brenda partisë.

Ndërkaq, këto ndasi dhe dorëheqje që pasuan brenda Vetëvendosjes bënë që Albin Kurti të rikthehej sërish në garë për kryetar, tre vite pasi ishte larguar nga pozita e shefit të partisë.

Teksa po qëndronte në paraburgim për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, në dhjetor të vitit të kaluar Kurti shpalli kandidaturën e tij për kryetar të Vetëvendosjes, Insajderi.

Rruga e rikthimit të Kurtit në krye të Lëvizjes Vetëvendosje u bë më e lehtë kur askush nuk i doli atij përball në garën për kryetar. Ai u zyrtarizua si kandidati i vetëm që i hynte zgjedhjeve për kryetar në Lëvizje.

E diela e 21 janarit zyrtarizoi rikthimin e Kurtit në krye të Vetëvendosjes.

Sipas rezultateve, Kurti mori 98.82 për qind të votave të përgjithshme, 0.61 për qind kundër, 0.57 për qind kanë qenë abstenime, ndërsa vetëm 0.26 për qind kanë qenë vota të pavlefshme.

Albin Kurti ka rimarrë dhe e ka sërish në duart e veta timonin e organizatës, të cilën e kishte themeluar vet para 13 vitesh.