10:45 / E Mërkurë, 14 Mars 2018 / indeksADMonline

Merkel fiton mandatin e katërt të kancelares së Gjermanisë

Anglea Merkel ka fituar për herë të katërt postin e kancelares gjermane.

Gati 6 muaj pasi vendi mbajti zgjedhjet që prodhuan një shumicë të reduktuar, Merkel u konfirmua nga parlamenti si udhëheqësja e Qeverisë së re.

Prej 688 anëtarëve të Bundestagut, gjithsej 364 vota ishin pro Merkelit, pavarësisht se partitë e koalicionit të saj kanë 399 ulëse në parlament. Nëntë deputetë abstenuan. Merkel kishte nevojë për 355 vota që të sigurojë mandatin e saj të katërt, raportojnë mediat gjermane.

Merkel, e cila fillimisht u bë kancelare në vitin 2005, do të qeverisë në krye të Partisë të kristianë-demokratëve (CDU), në koalicion me bashkimin kristianë-social dhe social-demokratët.

Gjatë ditës së sotme Merkel pritet që të udhëtojë drejt Scholoss Bellevue, rezidencës së presidentit gjerman, ku Presidenti Frank-Walter Steinmeit do t’i dorëzojë asaj letrën për mandatin e ri. Formalitet e kërkojnë që Merkel pastaj të kthehet për në Bundestag, ku kryeparlamentari do ta kryejë betimin e saj si kancelare.