16:05 / E Martë, 03 Prill 2018 / indeksADMonline

Minxhozi: Për ‘bakshishet’, bizneset t’iu drejtohen organeve të drejtësisë

Për akuzat e ngritura sot nga bizneset e Kosovës drejt autoriteteve të Shqipërisë për barrierat dhe korrupsionin në Morinë, ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi, ka thënë për KosovaPress se nuk ka informacione të tilla.

Sipas Minxhozit, po që se ka korrupsion ose kërkohet ‘bakshish’ në Shqipëri, bizneset ose kompania “Railtrans” e cila ka ngritur këtë çështje si dukuri, duhet denoncuar tek organet e drejtësisë.

Ndërsa, sa i përket skanerit për kontrollin e mallrave, ai tha se nuk është diçka e re, kjo sipas tij, funksionon qe dy vjet.

“Natyrisht pengesat ose procedurat burokratike për çdo herë po ulen, po shpërbëhen dhe ka një trend pozitiv. Pastaj, vërejtjet për ‘bakshishet’ le t’iu drejtohen organeve të drejtësisë, nëse kanë të dhëna të sakta. Pajisja e skanerit ka vite që është bërë, nuk është vendosur tani. Ka dy vjet që është vendosur skaneri. Për taksën rrugore e re të “Rrugës së Kombit” nuk dua të përgjigjem unë”, ka thënë Minxhozi.

Sipas tij, Kosova ka pasur eksporte më të mëdha në përqindje drejt Shqipërisë, krahasuar me vendet tjera fqinje. Ai tha se eksportet kanë shënuar ngritje drejt Shqipërisë viteve të fundit, dhe ato janë rreth 50 milionë euro në vit. Minxhzoi shtoi se sa eksportohet në Shqipëri, nuk eksportet në krejt vendet fqinje.

Ndryshe, sot në një konferencë të organizuara nga Oda Ekonomike Amerikane, Besir Çmega, menaxher i përgjithshëm i kompanisë “Railtrans”, duke drejtuar akuza ndaj autoriteteve të Shqipërisë, ka thënë se korrupsioni në Morinë po ndodh në forma të ndryshme, prej barrierave tarifore për i skanimin e detyrueshëm të mallrave me një taksë prej 23.5 euro, si dhe ‘bakshishet’ prej 1 mijë lekë për çdo kalim.

“Tash faturës së transportit i shtohet 45 euro për taksën rrugore, plus edhe skaneri, TVSh dhe Dogana, që kjo shkon afër 90 euro kosto shtesë për një kamionë, i cili shkon përmes Shqipërisë. Kjo nuk është pak, ne e dimi se askush nuk është kundër taksës, por kjo të jetë të pakën me nivelin e rajonit. Tjera barriera që ka të bëjë me Doganën, në fushën e transportit, është ‘bakshishi’ i detyrueshëm në Morinë. Kjo është një dukuri prej fillimit që vazhdon të jetë i tillë edhe përkundër ankesave. Jepen 1 mijë lekë për çdo kamionë i cili kalon”, ka thënë Çmega.