22:17 / E Enjte, 10 Maj 2018 / indeksADMonline

Në gjykimin e deputetit të LDK-së dëshmoi një ekspert maqedonas

Në gjykimin e deputetit të Kuvendit të Kosovës, Naser Osmani dhe të shtatë të akuzuarve tjerë, gjykim ky i cili lidhet me privatizimin e fabrikës “FAN” në Podujevë, në cilësinë e dëshmitarit u dëgjua eksperti maqedonas Marian Andonov, i cili dëshmoi në lidhje me raportin të cilin e kishte hartuar rreth auditimit të ndërmarrjes “FAN”.

Në lidhje me hartimin e këtij raporti, dëshmitari u pyet nga mbrojtësi i Agim Deshishkut, avokati Arianit Koci se në çfarë dokumente e kishte bazuar këtë auditim.

Eksperti deklaroi se dokumentet në të cilat e ka bazuar raportin e auditimit i ka paraqitur qartë dhe në detaje në raport.

“Listën e dokumenteve të cilën e kemi pasur gjatë auditimit është qartë dhe detajisht e përshkruar në raportin për investime detale. Ky raport është pjesë e komplet raportit të auditimit. Këtë gjë e kemi cekur dhe në paragrafin fillestar të raportit tonë që raportet për investime dhe detajet për punësim paraqesin pjesën integrale të këtij raporti”, tha eksperti.

Ai tha se në marrëveshjen e lidhur në mes të Agjencisë së Privatizimit dhe shtëpisë së auditimit kanë qenë qartë të përshkruara rregullat të cilave është dashur t’u përmbahet auditori gjatë mënyrës së raportimit dhe se qëllimi kishte qenë që t’i raportohej Agjencionit në qoftë se detyrat e ndërmarra sipas kontratës, të dhënat e drejta për punësim dhe investim, a kanë qenë në pajtim me detyrat e ndërmarra në bazë të nenit 2 dhe 3 të kontratës për detyrat e ndërmarra.

“Sipas mendimit tuaj të gjitha investimet e bërë jashtë ndërtesës së kompanisë a mund të konsiderohen si investime kapitale”, e pyeti ekspertin dëshmitar avokati Koci.

Për çka, ai u përgjigj se një gjë e tillë nuk u ishte kërkuar që të vërtetohej.

“Si keni vepruar në ato fatura që keni pasur në dispozicion nga pronari i firmës “FAN”, Agim Deshishku, nëse furnitori apo shitësi nuk i është përgjigjur kërkesës suaj për vërtetimin e asaj fature, çfarë keni vepruar ju në këtë rast konkret?”, e pyeti ekspertin, kryetari i trupit gjykues Shashivar Hoti.

Në lidhje me këtë eksperti tha se pasi që furnitorët nuk i janë përgjigjur kërkesës së tyre atëherë ata në raport këtë pjesë e kanë paraqitur si “mendim të rezervuar”.

“Rezultati i kësaj procedure nuk na ka kënaqur ne ashtu dhe në mënyrë siç është kërkuar në kushte referente. Kjo do të thotë se ne nuk kemi marrë përgjigje në letrat për konfirmim të dërguara furnitorëve të përzgjedhur sipas kushteve referente të cilat i ka kërkuar Agjencioni. Kjo gjë paraqet të quajturën kufizim i mundësisë së auditimit që të paraqesë auditimin në bazë të detyrave të dhëna dhe këtë e kemi cekur, d.m.th përmes mendimit të rezervuar”, u përgjigj eksperti, për çka shtoi se nuk ekziston ndonjë ligj i cili i obligon furnitorët që të i përgjigjën kësaj kërkese.

“Nëse nuk ka konfirmim nga furnitori a do të thotë kjo se investimi nuk ekziston”, e pyeti më tej dëshmitarin ekspert, i akuzuari Naim Avdiu, në lidhje me çka ai u përgjigj kështu: “Kjo do të thotë që obligimi i auditimit paraqet në raport rezultatin e procedurës e cila është kërkuar në kushtet referente të paraqitura nga Agjencioni i Privatizimit dhe kjo gjë është e paraqitur në raportin tonë”.

Dëshmitari ekspert tha se të gjitha të dhënat që janë paraqitur nga ana e ndërmarrjes, çdo investim është vërtetuar fizikisht nga ekipi  për të cilin tha se ka punuar më shumë se dy javë në terren.

Në përputhje me pikën 2 të kontratës për ndërmarrjen e obligimeve thuhet se ndërmarrja është e obliguar që të investojë 2 milionë e 800 euro në periudhën prej 2 viteve. Në lidhje me këtë obligim, kryetari i trupit gjykues e pyeti ekspertin nëse ndërmarrja “FAN” e kishte arritur këtë veprim.

“Ky mendim nuk është kërkuar nga auditori në bazë të kushteve referente me auditorin. Detyra jonë ka qenë që të japim raportin nëse kompania ka qenë në pajtueshmëri me nenin 2 dhe 3 të kontratës dhe ne jemi përgjigjur në raportin tonë me rezervë që shuma prej 3 milionë e 367 mijë e 500 eurove nuk është në pajtueshmëri me kërkesat”, tha eksperti.

Duke shtuar se ndërmarrja ka qenë në të gjitha aspektet materiale në pajtueshmëri me detyrat e ndërmarra për investim dhe për punësim të vërtetuara në paragrafin 2 dhe 3.

“Rezerva është që ndërmarrja nuk ka qenë në tërësi në përputhje me detyrimet e ndërmarra. Kjo është e shkruar në mendimin e rezervuar unë tani nuk jam duke e interpretuar mendimin rezervë por shumë qartë është e shkruar”, tha më tej eksperti..

Në fund avokati Arianit Koci i propozoi gjykatës që për seancën e radhës në cilësi të dëshmitarëve të ftohen Rexhep A. Hyseni, drejtor teknik i kompanisë “FAN”, Rexhep M. Hyseni, drejtor i prodhimit dhe Naser Rusinovci, shefi i kontabilitetit, me arsyetimin se këta tre persona janë në funksione udhëheqëse në kompani dhe prandaj do të mund t’i shpjegonin Gjykatës se a kanë qenë të domosdoshme investimet në kompani për mbarëvajtje të procesit.

Kallxo.com ka shkruar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.

Gjykimi për privatizimin e fabrikës “FAN” është rast i shënjestruar për liberalizimin e vizave.Afatin ligjor që të kemi informata prej familjaret e tij se ku ndodhet një person .