75 Mall Live Search
20:19 / E Shtunë, 03 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Gjykimi i krimeve të luftës në mungesë, mundësi për ndjekje penale të kryerësve

Në luftën e viteve 1998-99 mbetën të vrarë rreth 15 mijë persona nga forcat paramilitare serbe, mbi 20 mijë femra të dhunuar, kurse të zhdukur vazhdojnë të mbesin mbi 1600 persona. Mirëpo, edhe pas 19 viteve të përfundimit të luftës, sjellja para bankës së akuzuarve, kryesit e këtyre veprave mbetet sfidë e organeve të drejtësisë.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës në një nga seancat këtë javë kanë votuar në parim për Projektligjin për gjykimin në mungesë për krime lufte.

Përmes këtij ligji po synohet që t’u mundësohet organeve të drejtësisë gjykimin e krimeve të luftës nëse ka dëshmi, pavarësisht a i dorëzon apo jo Serbia.

Kryetari i Shoqatës “Ngritja e Zërit’, Jahir Bejta thotë ligji nëse miratohet nga deputetët atëherë kriminelet e luftës do të sjellën para drejtësisë.

Bejta thotë se është e mirëseardhur kjo mundësi që kryesit e krimeve të gjykohen nga gjykatat në Kosovë.

“Me vjen mirë që ka kaluar në parim ky ligj, është shumë e rëndësishme pasi në këto rrethana mund të sjellën në Kosovë para drejtësisë kriminelet. Jam i sigurtë se këtë e mundëson edhe Konventa Ndërkombëtare për Gjenocid sipas të cilës, kryesit e krimeve mund të dënohen në gjykatat, shtetas i të cilëve janë, por edhe në gjykata territoralisht kompetente se ku është kryer krimi. Në këtë rast, kriminelet nga Serbia i kanë kryer krimet në Kosovë, andaj është e mirëseardhur mundësia që ata të dalin para drejtësisë në gjykatat e Kosovës”, ka thënë Bejta.

Ai ka shtuar se anëtarësimi në Interpol, krijon edhe me teje kushtet që kryesit e krimeve të dalin para drejtësisë.

“Por, jo vetëm këta, por edhe serbët lokal si ish-qytetarë të Republikës së Kosovës, pas kryerjes së krimeve kanë ikur dhe janë strehuar nëpër Serbi, ashtu që drejtësia kosovare e ka vështirë apo për momentin fare që të mund t’i sjellë në Kosovë. Do të ishte mrekulli sikur të mund të anëtarësohemi në Interpol, për tu krijuar kushtet që kryesit e krimit të dalin para drejtësisë”, ka theksuar mes të tjerash Bejta.

Ndërsa, Avokati Arianit Koci thotë se çështja e gjykimit në mungesë duhet të shikohet nga dy anët e kundërta.

“Nëse shikohet nga konteksti i rastit të Kosovës, marr parasysh se niveli i efektivitetit të gjykimit të dyshuarave për krime të luftës është tejet i ulët, gjykimi në mungesë si mundësi procedurale do ta rriste efektivitetin e organeve ndjekëse dhe atyre të gjykimit në procedurë penale. Pra duke marr parasysh këtë arsyetim, në kontekstin kosovar ka kuptim heqja e një pengese procedurale për ta zhvilluar procedurën penale edhe pa praninë e të pandehurit. Mirëpo, nga aspekti kritik, heqja e kësaj pengese procedurale mund ta cenojë të drejtën në një gjykim të drejtë, që tani konsiderohet si parim universal në të drejtën ndërkombëtare të lirive dhe të drejtave të njeriut”, ka thënë Koci.

Mirëpo, si e kanë të rregulluar këtë çështje shtetet perëndimore. Sipas Kocit, shumica prej tyre nuk e kanë të paraparë ne legjislacionet e tyre penale një gjë të tillë.

“Nëse marrim parasysh trendin ndërkombëtar për sa i përket rregullimit lidhur me këtë çështje, mund ta shohim se shumica e shteteve perëndimore nuk e kanë ta parapara ne legjislacionet e tyre penale një mundësi të tillë. Zaten duke u bërë në njëfarë mënyre zakon ndërkombëtar, rregullimi i tillë ka mbetur si relikt i sistemeve lindore të drejtësisë, sidomos shteteve ish-komuniste”, ka thënë mes të tjerash Koci.

Ai ka shtuar se në kontekstin vendor duhet të shikohet si mundësi për ndjekje penale vetëm ndaj kryerësve të veprave penale të krimeve të luftës, dhe anës kritike si mundësi e cenimit të një standardi të gjykimit të drejtë.

Ai ka treguar se si do të mund të ishte një nga zgjidhjet e mundshme për këtë çështje.

“Një nga zgjidhjet e mundshme është që të pandehurit t’i jepet mundësia që edhe pasi që të jetë përfunduar gjykimi dhe të jetë nxjerrë aktgjykimi lidhur me veprën për të cilën është ndjekur, që sipas kërkesës së tij t’i ofrohet mundësia e rishqyrtimit të gjithë çështjes penale. Kjo nuk do të duhej të kufizonte gjykatën e çështjes që të shqiptojë dënim më të rëndë në procedurën e rishqyrtimit, ndonëse në gjykimin në mungesë e ka shqiptuar një vendim më të butë për çështjen konkrete penale”, ka theksuar Koci.

Kujtojmë, në vitin 2015 Këshilli Prokurorial i Kosovës ka themeluar Departamentin për Krime të Luftës në kuadër të Prokurorisë Speciale./Indeksonline/