22:00 / E Hënë, 26 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Ish-komandanti i Policisë kërkon të lirohet, pas akuzave se mori ryshfet një traktor dru

Në gjykimin e ish-komandantit të stacionit policor në Novobërdë, Shukri Aliut, i akuzuar për marrje të ryshfetit dhe moslajmërim të veprës penale dhe kryesve të tyre, është dhënë fjala përfundimtare.

Prokurori i shtetit, Arben Kadriu dhe mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ymer Huruglica, njoftuan trupin gjykues të Gjykatës së Gjilanit se fjalët e tyre përfundimtare i kanë përgatitur dhe i dorëzojnë me shkrim, duke njoftuar që këto shkresa të konsiderohen si pjesë e procesverbalit gjyqësor.

Kështu, duke e elaboruar në pika të shkurtra fjalën e tij, prokurori Arben Kadriu tha se mbetet në tërësi pranë aktit akuzues që e përfaqëson dhe se si nga gjendja faktike por edhe nga dëshmitë e dëshmitarëve dhe provave materiale të shqyrtuara në këtë gjykim, vërtetohet se i akuzuari Shukri Aliu ka kryer veprat penale të cilat i vihen në barrë.

Prokurori i propozoi trupit gjykues që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe të njëjtit t’i shqiptohen sanksione penale të parapara me Kodin Penal të Kosovës, raporton kallxo.com.

Mbrojtësi i të akuzuarit Shukri Aliu, avokati Ymer Huruglica me rastin e dhënies së fjalës përfundimtare, deklaroi para trupit gjykues që mbetet në tërësi pranë fjalës përfundimtare, të cilën e dorëzoi me shkrim para trupit gjykues.

Avokati Huruglica deklaroi para trupit gjykues se nuk ekziston asnjë provë e vetme, si nga gjendja faktike por edhe nga dëshmitë e dëshmitarëve Naser Mehmeti, Ivan Dikiq dhe Ivan Markoviq sikur edhe mbrojtja e të akuzuarit  se i mbrojturi i tij t’i ketë kryer këto vepra penale, siç thuhet në pikën 1 dhe 2 të aktakuzës. Avokati Huruglica ndër të tjera i propozoi Gjykatës që të mbrojturin e tij ta lirojë nga akuza në mungesë të provave.

“Duke iu falur besimin e plotë dëshmisë së këtyre dëshmitarëve, duke përfshirë edhe mbrojtjen e të akuzuarit, i propozoi gjykatës që të marrë aktgjykim lirues për këto vepra penale”, tha ndër të tjera avokati Ymer Huruglica.

Ndërsa i akuzuari Shukri Aliu  në fjalën e tij  tha se e përkrah në tërësi fjalën e avokatit të tij, duke i propozuar trupit gjykues që ta shpallë të pafajshëm për faktin se sipas tij nuk i ka kryer këto vepra penale. “Kërkoj aktgjykim lirues sepse nuk i kam kryer këto vepra penale që më vihen në barrë”, deklaroi në fund Shukri Aliu, raporton KALLXO.com.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, përfaqësuar nga prokurori Arben Kadriu thuhet se Shukri Aliu akuzohet për  veprën penale të marrjes së ryshfetit për shkak se si komandant i policisë në Novobërdë, më datë 2 shtator 2017 në mënyrë të drejtpërdrejtë kishte pranuar dhuratë-drutë me sasi prej 5 metër kub, për zbulimin e vjedhjes së pyllit në pronësi të Naser Mehmetit nga Gjilani, ashtu që Ivan Dikiq i kërkon një traktor me dru nga Naser Mehmeti për të pandehurin Shukri, me arsyetimin se i njëjti e kishte zbuluar vjedhjen e malit.

Sipas aktakuzës, Naser Mehmeti përmes Ivan Markoviqit dhe Dikiqit, ia dërgon të pandehurit sasinë e druve të lartcekur dhe përmes telefonit Naseri e njofton Shukri Aliun duke i thënë “përshëndetje shoq, punën ta kryeta, drutë ia dhash Ivanit me ti pru” dhe i pandehuri Shukri i falënderohet.

Ndërsa në pikën 2 të akuzës, Shukri Aliu akuzohet edhe për veprën penale moslajmërimi i veprave penale sepse gjatë periudhës kohore 22-23 korrik 2017 përmes telefonit komunikon me Ivan Dikiq dhe nga i njëjti mëson se pa leje valide është duke poseduar armë zjarri dhe se të njëjtën do ta përdorë në një dasmë, si dhe akuzohet se kishte dijeni që Ivan Dikiq është duke mbajtur në bashkësi jashtëmartesore personin nën moshën 16 vjeç, dhe si rrjedhojë nuk ndërmori veprime zyrtare por i jep udhëzime duke i thënë “që të bëjë kujdes deri në muajin gusht, pasi e njëjta i mbush 16 vjeç”, dhe si person zyrtar në cilësinë e komandantit të stacionit policor në Novobërdë ka mësuar për këto veprime dhe nuk ka lajmëruar.

Në fund trupi gjykues që përbëhet nga gjyqtarët Naser Maliqi kryetar, Agim Ademi e Sabedin Mushica anëtarë, njoftuan që shpallja e vendimit përfundimtar për këtë rast do të bëhet të enjten.