13:51 / E Premte, 23 Mars 2018 / indeksADMonline

Në vend të përgjigjes për zonjën Osmani, lidhur me dyfytyrësinë e saj politike

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani njihet për aftësinë e saj të jashtëzakonshme që, sa herë që argumentohet loja e saj kryesisht brenda LDK-së, të kamuflojë situatën dhe ta zhvendosë në sulme politike nga PDK dhe ShIK-u.

I tillë ishte edhe reagimi i saj ndaj një analize të Indeksonline që shpjegohej metamorfoza e znj.Osmani, nga një kritikuese dhe bllokuese e ratifikimit të demarkacionit në kohën kur qeverinë e udhëhiqte LDK, në mbështetëse të këtij procesi, kur partia e saj ishte në opozitë. Bllokimi i demarkacionit në atë kohë nga disa deputetë të LDK-së me në krye Vjosa Osmanin prodhoi edhe shkarkimin e qeverisë me në krye liderin e LDK-së, Isa Mustafa.

Znj.Osmani, ne jemi të vetëdijshëm për lojërat politike që i zhvilloni brenda LDK-së për të luftuar çdo lidership të asaj partie deri në kohën kur ju do të mund ta arrinit synimin tuaj për të marrë në dorë LDK-në, por assesi nuk mund të mbyllim sytë kur hipokrizia politike tentohet të shitet si moral. Fundja, ne merremi me ju sepse jeni aty për të përfaqësuar interesat e popullit.

Nëse nuk do të ishit deputete, ju apo kushdo tjetër, ne nuk do të merreshim fare me ju. Por, ju aty jeni me votën e popullit dhe paguheni nga taksat e qytetarëve. Rrjedhimisht edhe vendosni për të ardhmen e Kosovës. Kjo është arsyeja e vetme e raportimit tonë, që njerëzit të dinë realisht se kush dhe si i përfaqëson interesat e tyre. Pikë!

Andaj reagimin tuaj se ne jemi portal i ShIK-ut nuk po e marrim seriozisht fare sepse ju reagoni kështu sa herë që keni mungesë argumentesh. E kuptojmë që akuzat për “shkrime të porositura nga SHIK” mund të dhezin te elektorati i LDK-së, por Indeksonline, ka shkruar dhe shkruan edhe për hipokrizinë e njerëzve të PDK-së, AAK-së, VV-së dhe të gjitha subjekteve politike.

Në videon më poshtë mund të shihet dhe dëgjohet njëra nga deklaratat e shumta të zonjës Osmani kundër demarkacionit në kohën kur Isa Mustafa dhe LDK udhëhiqnin qeverinë. Si juriste që është zonja Osmani e di që përveç disa ndryshimeve kozmetike, projektligji është i njëjtë dhe kundërshtimi i atëhershëm, përveç se ka dëmtuar qytetarët e Kosovës, e ka nxjerrë në opozitë edhe LDK-në.