21:07 / E Hënë, 02 Prill 2018 / indeksADMonline

Nuk ka para shtesë për t`i paguar komisionerët e zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), muaj më parë i kishtë dërguar kërkesë Ministrisë së Financave për t`u ndarë mjete shtesë në mënyrë që të mbulojnë pagesat për komisionerët e zgjedhjeve.

Por, një përgjigje më në fund duket se e ka kthyer MF-ja. Muharrem Shahini, drejtor i Zyrës për Komunik Publik në këtë ministri, ka thënë për Indeksonline se Ministria e Financave nuk ka mundësi t`i ndajë 100 mijë euro shtesë për KQZ-në.

“Ministrisë së Financave – Departamentit të Buxhetit ka pranuar një kërkesë nga KQZ për ndarjen e mjeteve shtesë në shumën 100,000 euro për pagesën e obligimeve të pa paguara të vitit 2017 (për stafin e K-Vot, stafin e QNR dhe anëtarët e këshillave të vendvotimeve). Lidhur me këtë Ministria e Financave ka njoftuar KQZ-në se nuk ka mundësi të ndajë mjete shtesë”, ka bërë të ditur Shahini.

Tutje, ai ka sqaruar se i kanë rekomanduar KQZ-së që të përdorë mjetet që u janë siguruar nga buxheti i vitit 2018 dhe t`i kryejnë pagesat për komisionerët.
“Nëherit i kemi rekomanduar të KQZ-së që obligimet ti mbulojë bazuar në ndarjet buxhetore të parapara me ligjin e buxhetit për vitin 2018, si dhe duke respektuar Ligjin e menaxhimit të financave publike, nenin 30.2 për harmonizimet brenda nën programeve të KQZ-së”, ka shtuar ai.

Ndryshe, KQZ duhet të kryejë pagesat edhe për 1 mijë e 671 komisionerë.

Kujtojmë se në zgjedhjet lokale të vitit 2017 ishin rreth 50 mijë komisionerë, kurse ndaj shumicës më të madhe prej tyre janë kryer pagesat./Indeksonline/