08:30 / E Shtunë, 12 Maj 2018

Pacolli në Greqi, jep një mesazh për Kosovën

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, po qëndron në ministralin e disa vendeve të Evropës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Greqi, në fjalimin e tij citohet t’u ketë thënë homologëve në takim “Mos e harroni Kosovën”.

“Mos e harroni Kosovën. Kosova është krijesë e Bashkimit Evropian dhe ne jemi pjesë natyrale e Europës. Baballarët që udhëtonin me hekurudhë përgjatë Europës 50 vjet më parë e kanë të vështirë t’i shpjegojnë fëmijëve të tyre sot pse ata nuk mund të udhëtojnë”, citohet t’u ketë thënë ministri i jashtëm Pacolli, homologëve të tij nga Bashkimi Europian mbledhur në Greqi.

Pacolli përmes një njoftimi në Facebook, ka thënë se gjatë qëndrimit të tij në Sunion të Greqisë kaloi shumë kohë me nikoqirin grek, Nikos Kotzias me të cillin janë dakorduar që shumë shpejt Zyra e Kosovës të çelet në Athinë.

“Shpreha keqardhjen që në një aktivitet kaq të rëndësishëm ku kishte disa zëvendëskryeministra dhe ministra të jashtëm si ai i Çekisë, Polonisë, Kroacisë, Greqisë, Hungarisë, Bosnjës, Maqedonisë, etj, Serbia nuk ishte e pranishme, me gjasë shkaku i pranisë sime dhe Kosovës si e barabartë”.

“Ministri Kotzias na bëri mua dhe kolegëve për një pjesë të kohës ciceronin në një vizitë që bëmë në Tempullin e Poseidonit, një dëshmi impozante e qytetërimit të Greqisë së Lashtë”, ka shkruar Pacolli./Indeksonline/