16:33 / E Enjte, 21 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Policë me armë të gjata në sheshet e Prishtinës (Foto)

Me rastin e festave të fundit vitit pjesëtarë të Policisë së Kosovës, me armë  të  gjata, mund t’i shohim duke u angazhuar për sigurinë e qytetarëve të  Republikës në për sheshet e Prishtinës.

Policia e Kosovës, bazuar në angazhimet dhe planifikimet e saja, vlerëson se situata e sigurisë është e qetë dhe stabile, por për të mbretëruar një situatë e tillë edhe gjatë përmbylljes së këtij fundviti dhe fillimit sa më të mbarë të vitit të ri 2018 i cili është prioritet i yni, janë paraparë masat e nevojshme policore, por kërkohet edhe një përkushtim dhe vigjilencë e shtuar e të gjithë qytetarëve dhe institucioneve të vendit tonë.

Zëdhënësi i këtij institucioni, Baki Kelani ka konfirmuar për “Indeksonline” se Policia e Kosovës sikurse edhe viteve të kaluara, edhe për festat e këtij fundviti ka përgatitur planin operativ “Fund-viti 2017/2018”, për të ofruar siguri, rend dhe qetësi publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

“Qëllimi primar i këtij planifikimi dhe angazhimi i Policisë së Kosovës, është ruajtja e rendit dhe qetësisë publike në mbarë vendin, parandalimi dhe luftimi i dukurive negative dhe akteve të ndryshme kriminale”, ka thënë ai. /Indeksonline/A.M./