21:52 / E Shtunë, 03 Mars 2018 / indeksADMonline

Policia sqaron pse përdori sprej lotsjellës ndaj protestuesve në Mitrovicë

Policia e Kosovës ka reaguar ndaj lajmeve të publikuara sot në media, kinse kanë përdorur dhunë ndaj disa protestuesve në Mitrovicë.

Në një reagim, policia ka sqaruar se pse e ka përdorur sprejin lotsjellës ndaj një protestuesi, i cili ishte treguar agresiv gjatë arrestimit, transmeton Indeksonline.

Ky është njoftimi i policisë:

Zyra për Informim Publik në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, ka sqaruar rrethanat e arrestimit të shtatë personave në cilësi të të dyshuarve për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

Sot me datë 3 mars 2018, në ora 15:45, Policia në Mitrovicë ka pranuar informacionin se një grup prej rreth 20 personash po shkruanin mbishkrime te ndryshme në ndërtesën e Universitetit Publik “Isa Boletini” në Mitrovicë.

Njësitet policore i janë përgjigjur rastit dhe kanë dal në vendin e ngjarjes, me ç’rast janë sekuestruar dy boca sprejë/ngjyrë, janë arrestuar shtatë persona dhe gjatë realizimit të detyrave njëri nga të dyshuarit ka shfaqur sjellje agresive dhe policia konform parimeve dhe procedurave për ta vënë nën kontrollë situatën ka përdorë sprejin lotsjellës të cilit person menjëherë edhe i është ofruar trajtimi mjekësor.

Prandaj, ju informojmë se pohimet, kinse Policia ka përdorur dhunë ndaj të arrestuarve nuk qëndrojnë dhe janë të pavërteta, të gjitha veprimet e ndërmarra policore kane qenë sipas procedurave, në proporcion me situatën e paraqitur dhe konform autorizimeve ligjore.

Policia vazhdon të mbetet e përkushtuar në mbajtjen e rendit dhe qetësisë publike,  zbatimin e ligjit dhe në realizimin e të gjitha detyrave dhe obligimeve konform autorizimeve të parapara me ligj. /Indeksonline/