22:50 / E Mërkurë, 25 Prill 2018 / indeksADMonline

Politika e Gjuriqit po i frikëson serbët në Kosovë, për ta përkrahur maksimalisht Vuçiqin

Çështja e formimit të Ushtrisë së Kosovës ka nxitur reagime të zyrtarëve të shtetit serb. Së fundmi, ishte deklarata e Marko Gjuriqit, shefit të të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, i cili tha se çdo serb që i bashkohet Ushtrisë së Kosovës do të dënohet me 10 vjet burg. Në anën tjetër, është edhe gjuha e rëndë që vjen nga krerët e shtetit serb të cilët në vazhdimësi thonë se nuk e njohin Kosovën dhe as nuk do e lejojnë krijimin e një Ushtrie.

Lidhur me ketë, analisti Belul Beqaj konsideron se Gjuriq po i frikëson serbët në Kosovë, në mënyrë që cilado zgjidhje të vije nga presidenti serb në raport me Kosovën, ajo të pranohet maksimalisht.

“Të gjitha ngjarjet e fundit janë në funksion të përgatitjes së ambientit për kompromisin që do të arrihet. Frikësimi i tij ndaj serbëve të Kosovës është një formë e psikologjisë speciale perfide për të frikësuar serbet me qëllim që çdo zgjidhje që do të ofrohet nga Presidenti Serbisë, të ketë mbështetje maksimale nga serbet”, ka thënë ai në një prononcim për Indeksonline.

Lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, Beqaj është shprehur me një fjalë populli, duke vënë në dije se faza përfundimtare e bisedimeve në Bruksel do të jetë më radikale nga çka është deklaruar nga krerët shtetërorë kosovarë.

“Mendoj se këto veprime janë indikator se zgjidhja do të jetë më radikale se që është paramenduar. Besoj se po shkojmë drejt zgjidhjes që siç thotë populli të ndahet shapi prej sheqerit por duke mos ditur se kujt i takon sheqeri e kujt shapi”, ka thënë ai.

Analisti Fatmir Sheholli, në anën tjetër ka deklaruar se Bashkimi Evropian duhet të emërojë një emisar special për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe t`i çlirojë njëherë e mirë serbët e Kosovës nga politika e Serbisë.
Ai ka theksuar se Lista Serbe po përdorë kërcënime brutale ndaj popullit serb në Kosovë.

“Bashkësia Evropiane duhet definitivisht të përdorë ndikimin e saj dhe të emërojë një emisar special për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe njëherit të çlirojë serbët e Kosovës nga politika degjeneruese e Serbisë me qëllim që serbët e Kosovës lirisht dhe pa ndikime të zgjedhë përfaqësuesit e vet në Parlamentin dhe organet lokale të Kosovës. Lista Serbe nuk është përfaqësuese e popullit serb në Kosovë, ajo është instrument në duart e Beogradit zyrtar dhe po qëndron në pushtet në Kosovë duke përdorur kërcënimet dhe shantazhet më brutale ndaj popullatës serbe të Kosovës”, ka thënë Sheholli për Indeksonline.

Sheholli ka shtuar se dialogu Kosovë-Serbi duhet ta gjejë shtetin e Kosovës të unifikuar si kurrë më parë dhe të gjitha partitë shqiptare të rreshtuara krahë për krahë në mbrojtje të sovranitetit dhe kushteueshmërisë së Kosovës./Indeksonline/