13:02 / E Premte, 02 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Qeveria: Jemi të përkushtuar t’i mbrojmë fëmijët tanë

Konferencën e mbajtur sot me temën “Edukimi, çelës për t`u përballur me ekstremizmin dhe radikalizmin online”, kryeministri Ramush Haradinaj dhe vartësit e tij e vlerësuan si moment të mirë për të folur për brengat me të cilat përballen jo vetëm prindërit, por edhe shoqëria në tërësi dhe institucionet e vendit, pasi bëhet fjalë për mbrojtjen e fëmijëve dhe rast nga ku, institucionet nuk guxojnë t’i mbyllin sytë dhe të pranojnë të jenë fushëbetejë e atyre që vijnë nga larg për t’i marr fëmijët tanë.

Në konferencën e organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, me rastin e fillimit të javës për internet të sigurt me moton: “Krijo, lidhu dhe trego respekt: Një internet më i mirë fillon me ty” , kryeministri Haradinaj tha se institucionet nuk duhet lejuar ata që tentojnë t’i bëjnë fëmijët tanë vrasës, që këtë ta bëjnë para syve tanë, para prindërve, para edukatorëve, para institucioneve të rendit dhe të ligjit.

“Qëllimi i Kosovës është t’i themi Stop depërtimit, mbërritjes dhe marrjes së fëmijëve. Dikur është vonë nëse nuk reagojmë me kohë. Nuk guxojmë dhe s’do ta lejojmë këtë. Kushdo që bënë paqe me këtë, është duke u pajtuar që fëmija i tij/saj, ta ketë atë fat. Do të jemi bashkë, do të jemi unik dhe të vendosur që mos ta lejojmë këtë. Do t’i gjejmë të gjitha rrugët, mundësitë dhe mjetet e nevojshme që kjo mos t’i ndodhë Kosovës”, tha kryeministri Haradinaj.

Ndërsa ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ka thënë se është shumë e rëndësishme që përkushtimi ynë si akterë në institucionet e Kosovës të drejtohet dhe fokusohet në edukim dhe arsim, duke filluar me qasje të drejt të shfrytëzimit të internetit dhe mjeteve tjera elektronike të komunikimit.

“MPMS do të jetë e përkushtuar të jap kontributin e saj, në kuadër të aktiviteteve ndërsektoriale të përfshira në “Strategjinë Nacionale për parandalimin e Ekstremizmit të dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në terrorizëm 2015-2020”, ka thënë ministri Reçica./Indeksonline/