16:10 / E Martë, 20 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Rama zmbrapset pas reagimeve: Presidentin mbarëkombëtar vetëm e imagjinova

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka sqaruar deklaratën e bërë prej tij në ditën e Pavarësisë së Kosovës për një President të përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë. Një deklaratë që ka shkaktuar shumë debate.

Rama në një intervistë për Top Channel tha se ajo që deklaroi atë ditë ishte vetëm imagjinatë, por sipas tij e njëjta u shkëput nga konteksti.

“Nuk bëra asnjë deklaratë. Një fjali e lirë u shkëput nga konteksti dhe kthye në një program politik. Në fjalën e atij rasti, i lejova vetes që të vrapoj me imagjinatë, se si mund të jetë 20-vjetori i Pavarësisë së Kosovës.

Është sport kombëtar, por edhe ndërkombëtar, që shkëputet një fjali nga konteksti dhe pastaj bëhet një histori. Por besoj se askush nuk më ndalon të imagjinoj. Sa i përket pastaj artikulimit, se si kjo mund të ndodhë nga ana legjislative imagjinata ime nuk ka shkuar deri aty”, ka deklaruar kryeministri Rama për Top Channel.