12:56 / E Enjte, 17 Maj 2018 / indeksADMonline

Reçica nënshkroi Marrëveshjen Bashkëpunimi për punë praktike për 200 studentë të UP-së

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, nënshkroi sot Marrëveshje Bashkëpunimi me Rektorin e UP-së, Marjan Dema, për angazhimin në punë praktike, për 200 studentë,  për një periudhë​ tre mujore.

Ministri Reçica tha se në kuadër të bashkëpunimit të mirë me UP-në, sot po konkretizojmë  marrëveshjen e cila do të bëjë të mundur angazhimin e 200 studentëve në punë praktike.

“Në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, Agjencinë e Punësimit dhe Qendrat e Aftësimit Profesional, studentëve që kanë përfituar nga kjo marrëveshje ju ofrohet një mundësi e mirë që të demonstrojnë edhe në praktikë pjesën teorike të mësuar gjatë studimeve. Bashkëpunimi ynë do të vazhdojë edhe në të ardhmen, jo vetëm si një premtim, por edhe në projekte konkrete”,ka thënë Reçica.

Ai shtoi se, me qëllim të zbutjes së papunësisë, duhet të bashkërendohen aktivitetet  dhe të thellohet bashkëpunimi jo vetëm me institucionet relevante publike, por edhe me bizneset, në harmoni me nevojat e tregut të punës, transmeton Indeksonline.

Me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshje mori pjesë edhe zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Fatmir Limaj. Ai tha se sot jemi këtu për të rikonfirmuar mbështetjen tonë në realizimin e objektivave tuaja.

Limaj çmoi shumë punën e UP-së, si në të kaluarën, por edhe tash, duke potencuar se sfidat më e rëndë e universitetit, është në përgatitjen e kuadrove për shtetndërtimin e Kosovës. “E di që keni vështirësi të mëdha, por ne do t’u qëndrojmë pranë duke ofruar mbështetje, në rend të parë duke forcuar autonominë e UP-së. Qeveritë shkojnë në vijnë, e institucionet mbesin. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë edhe në të ardhmen. Unë nuk bëj krahasime me të kaluarën, se cila qeveri ka bërë më shumë apo më pak në këtë drejtim, por ne jemi këtu për të ofruar përkrahje të pa rezervë në arritjen e qëllimeve tona të përbashkëta” tha zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj.

Marrëveshjen e ka përshëndetur edhe Rektori i UP-së, Marjan Dema, i cili këtë marrëveshje e cilësoi shumë të rëndësishme në përgatitjen e studentëve dhe brezit të rinj që krahas dijeve teorike, të bëhen pjesë e zhvillimit të Kosovës edhe përmes angazhimit në punë praktike dhe t’i përgjigjen kërkesave dhe nevojave të tregut të punës.

Në ceremoninë, e nënshkrimit të marrëveshjes mori pjesë edhe Ministri i Arsimit të Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi. Ai tha se bashkëpunimi i institucioneve do të vazhdojë edhe në të ardhmen me UP-në duke pasuruar edhe më tutje format e bashkëpunimit. Bytyqi premtoi se në të ardhmen e afërt, një marrëveshje e tillë me UP-në do të nënshkruhet edhe MASHT-in, thuhet në komunikatnë për media./Indeksonline/