11:17 / E Mërkurë, 26 Shtator 2018 / indeksADMonline

Rektori Dema ngushëllon familjen e studentit Leutrim Gjini

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema përmes një telegrami ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen e studentit të mjekësisë, Leutrim  Gjini.

“Të dashur familjarë, shokë, kolegë dhe profesorë të Leutrimit, më lejoni që në cilësinë e rektorit të Universitetit të Prishtinës, të ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta me rastin e ndarjes nga jeta të më të dashurit tuaj.

Sipas profesorëve të tij, Leutrimi ishte njëri ndër studentët e dalluar të Fakultetit të Mjekësisë, prej këtej, edhe njëri ndër më të mirët në Universitetin tonë. Leutrimi i zellshëm dhe inteligjent do të jetojë gjatë në kujtesën e profesorëve dhe të miqve të tij, teksa mungesa e tij do të vazhdojë të jetë prezente tek komuniteti universitar.

Në emër të organeve drejtuese, studentëve, stafit akademik dhe administrativ të UP-së, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta!

I paharruar qoftë kujtimi për të!” shkruhet në telegram.

Ndryshe, studenti 23 vjeçar i Fakultetit të Mjekësisë, Leutrim Gjini ka ndërruar jetë ditën e hënë si pasojë e një sulmi kardiak që e kishte kapluar pak minuta para se të hynte në provimin e lëndës së Gjinekologjisë./Indeksonline/