22:30 / E Martë, 03 Korrik 2018 / indeksADMonline

Samiti i Londrës, shpresë për të pagjeturit nga lufta

19 vite pas luftës në Kosovë, familjet ende janë në kërkim të trupave të pagjetur të familjarëve të tyre.

Një shpresë më shumë për ta po vlerësohet Samiti i Londrës që mbahet më 9 dhe 10 korrik ku pritet të diskutohet për çështjen e të pagjeturve.

Në samitin e Londrës, ku Kosova përfaqësohet nga kryeministri Ramush Haradinaj, si temë diskutimi do të jetë kjo temë e cila po konsiderohet si formë e presionit ndërkombëtar tek Serbia për të zbardhur fatin e të pagjeturve.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Prenk Gjetaj për Indeksonline është shprehur nga ky samit presin që Serbia të jap informacione për ndodhjen e varrezave masive.

“Po presim që do të këtë presion mbi Serbinë, të jap informata për ndodhjen e varrezave masive, për faktin se jo vetëm që dyshojmë por besojmë shumë se ka ende varreza masive në Serbi dhe Serbia nën presionin ndërkombëtar do të detyrohet të jap informacione dhe të hap ato varreza”, ka thënë ai.

Gjetaj ka shtuar se në fillim të korrikut bashkë me prokurorinë do të zbatojnë urdhëresat e pazbatuara për disa gërmime brenda Kosovës.

“Brenda Kosovës ka planifikime, tash bile në fillim të korrikut do të kërkojmë me të gjitha autoritetet, edhe prokurorinë që të shohim se cilat janë urdhëresat e pazbatuara ende dhe cilat janë të lëna si gërmime vlerësuese në territorin e Kosovës, normalisht jemi të interesuar hapat që do t’i ndërmarr Serbia, se ende dyshojmë se ka varreza masive”, ka shtuar Gjetaj.

Edhe përfaqësuesi i familjarëve të te pagjeturve, Bajram Qerkini ka shpresa për të pagjeturit në këtë samit.  Ai për Indeksonline thotë se presin që kjo temë të diskutohet dhe shqyrtohet atje.

“Në këtë samit do të marrin pjesë të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, i kane tri pika, nën tre është tema e të pagjeturve. Princi Charleskur kemi qenë mysafir të ai ka premtuar që në samit do të fus në diskutim çështjen e të pagjeturve në Kosovë, rajon dhe Sarajevë, Mal të zi etj. Besojmë se këto marrëveshje ata kanë me i nënshkrua, ato do të shqyrtohen, presim shumë por të shohim. Mendoj që për këtë çështje nuk është bërë shumë, janë bërë lojëra të Serbisë, bile edhe me ndihmë të ndërkombëtarëve. Po mbahen takimet, komisione, po formohen grupe dialoguese, por nuk po bëhet asgjë për të pagjeturit”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se numri i familjarëve që presin për të pagjeturit ka filluar të zvogëlohet.

“Familjarët kanë filluar më u zvoglu, gjeneratat e reja, të dyta, krejt gjeneratat përveç prindërve, nuk po munden me i mbyllë sytë prej marakut. Ka shumë pak prindër që janë gjallë, thuajse kanë vdekur” ka thënë ai tutje. Qerkini thotë se janë në pritje që tema e të pagjeturve të diskutohet në Bruksel, në një takim të veçantë. Ai ka shtuar se këtë vit, vetëm një foshnjë gjashtë muajsh është gjetur një Izbicë. Sipas tij, ka dokumentacione e informata, por ende nuk ka lëvizur asgjë.

Ndryshe, në Kosovë janë të evidentuar edhe 1654 presona si të zhdukur, për fatin e të cilëve ende nuk dihet asgjë./Indeksonline/