23:04 / E Mërkurë, 17 Janar 2018 / indeksADMonline

Serbia insiston të hetojë vrasjen e Ivanoviqit. Gashi: Kjo nuk do të ndodhë

Ministria e Punëve Brendshme të Serbisë gjatë ditës së sotme ka dërguar dy herë kërkesë në misionin e EULEX-it dhe atë të UNMIK-ut që organet serbe të përfshihen në hetimin e vrasjes së liderit të Iniciativës Qytetare Serbe, Oliver Ivanoviq. Kërkesa e dytë është dërguar në orët e mbrëmjes, pas asaj që është dërguar në orët e mëngjesit.

“Drejtori i Policisë, Vladimir Rebiq dhe Byroja Qendrore Kombëtare e Interpolit në Beograd e cila është pjesë e Ministrisë ka dërguar një kërkesë të përsëritur për EULEX-in dhe UNMIK-un në të cilën është insistuar për përfshirjen e MUP-it serb në hetim, në mënyrë që të gjenden autorët e këtij krimi të rëndë. Në kërkesa përfshihet reagimi  i shpejtë i Policisë së Serbisë në këtë hetim si dhe informacionet në lidhje me ndërmarrjen e të gjitha masave dhe veprimeve të ndërmarra deri tani”, thuhet në një përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme për Tanjug, transmeton Indeksonline.

Në lidhje me këtë çështje, avokati Tomë Gashi në një prononcim për Indeksonline ka thënë se përfshirja e Serbisë në hetimin e vrasjes që ka ndodhur në Kosovë nuk do të jetë e mundur.

Kjo pasi, sipas tij, nuk është me dispozitat ligjore dhe në këtë rast do bëhej cenimi i sovranitetit juridik të Kosovës dhe do vërtetohej se Serbia ka qasje të drejtpërdrejt në institucionet përkatëse të Drejtësisë së Kosovës.

“Në hetimin e vrasjes së Oliver Ivanoviq do të bëhej cenimi i sovranitetit të Kosovës, sovranitetit të Juridik dhe atëherë do të vërtetohej se Serbia përveç territorit të Kosovës, ka qasje haptas edhe në institucionet përkatëse të Drejtësisë së Kosovës, gjë që është ndërhyrje në punët e brendshme të një shteti tjetër. Sigurisht që presione të tilla do të ketë, por Kosova si e pavarur nuk duhet të lejojë në asnjë mënyrë që institucionet zyrtare të shtetit të Serbisë të përfshihen në hetimin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit”, ka thënë Gashi.

Më tej ai ka shtuar se autoritetet serbe mund të bëjnë hetime në territorin e vet, pasi, sipas avokatit është e qartë se Ivanoviq është vrarë nga serbët. Mirëpo, sipas tij, informacionet që i gjejnë ata duhet t’i tregojnë tek organet përkatëse të drejtësisë në Kosovë.

“Autoritetet serbe mund të bëjnë hetime në territorin e Serbisë për shkak se është e qartë se Oliver Ivanoviq është vrarë nga serbët. Nëse ata me aparaturën tyre shtetërore dhe me hetuesit e tyre gjejnë serbë të përshirë në vrasjen e Ivanoviqit ata duhet të informojnë organet përkatëse të drejtësisë së Kosovës, saktësisht Prokurorinë e Shtetit dhe Policinë e Kosovës që t’i ndihmojnë dhe të informojnë për të  vërtetën. Por përndryshe me asnjë dispozitë ligjore nuk lejohet ndërhyrja e një shteti tjetër në rastin e hetimit të një shteti tjetër, në këtë rast as të Oliver Ivanoviqit”, ka deklaruar Gashi.

Ndryshe, Ivanoviq u vra mëngjesin e djeshëm në veri të Mitrovicës, ku edhe u krye autopsia e tij nga mjekoligjorët e Kosovës. Ekspertët mjekoligjorë në trupin e tij kanë gjetur gjashtë predha nga një armë e vogël.

Ndërsa, tani arkivoli me trupin e pajetë të tij është dërguar në Beograd ku edhe do të varroset gjatë ditës së nesërme./Indeksonline/