13:27 / E Martë, 20 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Tahiri: 2018-ta vit i fuqizimit të sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, shprehet i bindur se qytetarët do t’i shohin ndryshimet në sistemin e drejtësisë. Ai thotë se sistemi i drejtësisë ka arritur mjaftueshëm në dekadën e parë të shtetit të Kosovës, ndonëse ende ka vend për fuqizimin e saj.

Në një intervistë për KosovaPress, Tahiri tha se në dekadën e dytë të pavarësisë së Kosovës do të jetë fuqizimi i sistemit të drejtësisë në vend.Madje sipas tij, dhjetë vjetori i dytë do të fuqizojë sundimin e ligjit, ekonominë e vendit, arsimin. Tahiri ka përmendur edhe sfidat dhe ngecjet që ka pasur sistemi i drejtësisë që nga viti 2008. Ndër të arriturat me të mëdha të sistemit të drejtësisë për dhjetë vjet pavarësi, Tahiri e thekson shtrirjen e gjyqësorit në veri.

Ai përmend themelimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë ku sipas Tahirit adresë e qytetarëve që jetojnë në atë pjesë do të jetë gjykatat e Kosovës. Ministri Tahiri thotë se prioritet i tij është nxjerrja e legjislacionit dhe fuqizimi i gjyqësorit në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Ai thotë se këtë do ta bëjë me anë të ndryshimit të Kodit Penal të Kosovës, Kodit të Procedurës Penale, ligjit për kryeprokurorin dhe ligjin për Agjencinë Kundër Korrupsion.

Duke folur për Kodin e Procedurës Penale, Tahiri tha se është duke u punuar intensivisht në plotësim ndryshimin e tij, derisa afatin e fundit e ka dhënë fundin e marsit që të përfundojnë ndryshimet.  Megjithatë, shprehet i gatshëm ta zgjat këtë afat nëse i kërkohet nga grupi punues.

Tahiri e sheh të nevojshme edhe ndryshimin e ligjit për Agjencinë Kundër Korrupsionit, por pa e cenuar pavarësinë e këtij institucioni. Ai thotë se ka propozuar edhe heqjen e një numri të madh të zyrtarëve për deklarimin e pasurisë, siç janë asamblistët e kuvendeve komunale.

“Nuk mund të konsiderohet njëjtë sikur një qoftë deputet apo ministër, ose një asamblistë i kuvendit komunal, i cilitdo kuvend komunal qoftë ai. Fokusin duhet ta kemi në Qeveri, parlament, gjyqësor, prokurori dhe jo në nivelet të cilët janë të papushtetshëm dhe mundësia që të ndodhin afera korruptive janë të vogla”, tha Tahiri. Ministri i  Drejtësisë, ka folur edhe për kriteret që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave, për të cilat thotë se janë në rrugë të mirë në përmbushjen e të gjitha kërkesave. Ndërsa, rreth strategjisë së publikuar javë më parë nga Komisioni Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor, Tahiri tha se pikërisht ato çështje që parashihen aty, janë paraparë në rishikimin funksional të sistemit të drejtësisë.

Kur foli për situatën në burgje, ministri i Drejtësisë tha se janë shumë më mirë se sa në vendet e rajonit. Derisa për të metat, thotë se nuk duhet fajësuar drejtuesit e Shërbimit Korrektues, pasi nuk kanë pasur kushte. Për të ngritur edhe me tutje nivelin e sigurisë dhe kushtet në burgje,  Tahiri tha se kanë shpallur konkursin për 70 oficerë korrektues, derisa në pjesën e dytë të vitit do të dal edhe një konkurs për 70 të tjerë, duke ngritur kështu në 140 numrin e oficerëve të rinj korrektues që do të punësohen.

Ndërsa, duke komentuar përfundimin e mandatit nga Misioni i EULEX-it, ministri Tahiri ka thënë se ata janë të gatshëm që t’i marrin të gjitha kompetencat në duart e tyre. E kur është pyetur për iniciativën për zhbërjen e dhomave të specializuara, Tahiri tha se ai do të vazhdon të punoj në bazë të ligjeve në fuqi, ndryshimeve kushtetuese të vitit 2015 dhe ligjit për dhomat e specializuara. Tahiri edhe një herë ka kundërshtuar ashpër miratimin e dy rekomandimeve nga Kuvendi i Kosovës pas një debati për dënimin e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Ministri Tahiri nuk ka dashur të komentoj raportimet për falsifikimin e provimit të jurisprudencës nga kryeprokurori Aleksandër Lumezi, duke thënë se ai do të punojë me ta në bazë të funksioneve që kanë, por që nuk do të komentoj asgjë rreth këtyre raportimeve.