22:45 / E Mërkurë, 13 Mars 2019 / indeksADMonline

Pakicat ankohen: Ministria për komunitete e Kthim nuk funksionon

Deputetët joserbë të komuniteteve pakicë në Kosovë janë ankuar se Ministria për komunitete dhe Kthim është jofunksionale qëkur Lista Serbe është në dorëheqje.

Ministri i kësaj ministrie Dalibor Jevtiq është pikërisht nga Lista Serbe. Ata pohojnë se kjo ministri nuk ka punuar në dobi të komuniteteve tjera as derisa ishte në funksion, por ka punuar vetëm për komunitettin serb. Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj i ka bërë thirrje Listës Serbe që të ndërrmarin përgjegjësitë që u takojnë dhe të mos i dëmtojnë komunitetet në Kosovë. Në anën tjetër, në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim thonë që ministria punon në interes të të gjitha pakicave në Kosovë, pa dallim se cilit komunitet i përkasin.

Deputetët e grupit parlamentar 6+ në fund të shkurtit, në takimin e Komisionit parlamentar për të drejtat, interesat dhe kthimin komuniteteve kanë inicuar pyetjen e funksionimit të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, qëkur ministri Dalibor Jevtić është „i dorëhequr“.

Deputetja boshnjake nga koalicioni „Vakat“ Duda Bale ka kërkuar që ministria të bashkëpunojë me këtë komision dhe ka shtuar që „as ministri as zëvendësministri nuk i japin llogari askujt“.

Deputeti i komutetit egjiptian Veton Berisha ka thënë se puna në këtë ministri është bllokuar dhe për këtë askush s’po mban përgjegjësi. Këtë e ka vërtetuar edhe deputeti i komunitetit ashkali Danush Ademi.

Duda Bale në një bisedë për Radio Kosova 2, në emisionin për komunitete, ka theksuar se për këtë problematikë i janë drejtuar edhe kryeministrit Haradinaj dhe po presin përgjigje nga ai.

 “I jemi drejtuar kryeministrit Haradinaj të na e definojë statusin e kësaj ministrie në këtë moment, sepse pas miratimit të buxhetit e dimë që tani është koha e aplikimeve për ndërtimin e shtëpive për të kthyerit dhe ndihmat tjera nga ana e ministrisë. Po presim përgjigje zyrtare nga kryeministri dhe sigurisht secili komunitet do të kërkojë realizim të drejtash brenda kësaj ministrie, siç do të kërkoj edhe unë për komunitetin tim. Mendoj se kryeministri do ta respektojë Komisionin dhe do të marrim përgjigje në bazë të së cilës do të veprojmë tutje“, ka thënë Bale.

Gazetarët e Redaksisë për komunitete në Radio Kosova 2 gjatë konferencës për media që është mbajtur të marten e kanë pyetur kryeministrin Haradinaj si e komenton qëndrimin e Komisionit që deputetët e komuniteteve pakicë s’kanë kujt t’i drejtohen në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim prej që ministri serb është në dorëheqje.

Haradinaj është përgjigjur që për të është i çuditshëm „qëndrimi i Listës Serbe si dhe qëndrimi i Beogradit, i cili nuk i lejon serbët të punojnë dhe të merren me përgjegjësitë e tyre“

Nga ana tjetër, sektori civil nga komuniteti serb me të cilin ka kontaktuar Radio Kosova 2 nuk ka dëshiruar që të komentojë funksionimin ose mosfunksionimin e Ministrisë pëe Komunitete dhe Kthim.

Edhe deputeti turk në Kuvendin e Kosovës Fikrim Damka ka thënë për se qëkur Lista Serbe ka dhënë dorëheqje në institucionet e Kosovës, kjo ministri është jofunksionale dhe ka shtuar se edhe kur ka qënë funksionale „ajo nuk ka punuar për komunitetet tjera në Kosovë“.

Nga ana tjetër, në Ministrinë për komunitete dhe Kthim konstatojnë se kjo ministri punon në interes të të gjitha komunitetetve në Kosovë, pa dallim të përkatësisë etnike.

Urosh Stalletoviq, zëdhënës i kësaj ministrie në përgjigje me shkrim për Radio Kosova 2 ka cekur që kjo ministri funksionon në kapacitet të plotë dhe zyrtarët e kësaj ministrie e kryejnë punën e tyre rregullisht edhe pse ministri Dalibor Jevtiq është në dorëheqje.

Ai ka shtuar që buxheti i kësaj ministrie në kuadër të projekteve kapitale është 6 milionë euro, dhe për vitin e kaluar buxheti është realizuar 98 për qind, e të gjitha projektet e planifikuara kanë përfunduar.