12:23 / E Martë, 22 Maj 2018 / indeksADMonline

Thaçi: Kosova me Malin e Zi raporte strategjike, pas ratifikimit të Demarkacionit (Video)

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është duke marrë sot pjesë në Forumin e Sigurisë “To be Secure” i cili po mbahet në Budvë, i organizuar nga Këshilli Atlantik dhe nën patronatin e Qeverisë së Malit të Zi.

Gjatë një prononcim për media ku edhe po mbahet ky forum, Thaçi ka thënë se Kosova me Malin e Zi kanë ndërtuar raporte strategjike, sidomos pas mbylljes së çështjes së Demarkacionit.

“Me Malin e Zi Kosova ka ndërtuar raporte strategjike, sidomos pas përmbylljes së çështjes së Demarkacionit. Synimi jon i mëtejmë është që të jemi edhe ne sikur Mali i Zi pjesë e NATO-së dhe pjesë e familjes së BE-së. Bashkëpunimi ynë ka qenë i të gjitha rrafsheve, dhe kemi hapësirë për të punuar edhe më tej. Ne sapo kemi filluar takimet. Unë pata takim me përfaqësuesin special të kryeministrit të Kanadasë, të cilët gjithmonë kanë pasur mbështetje për Kosovës. Pra Kanada është një mike e mirë e Kosovës dhe këtë e kanë dëshmuar çdo herë. Këto takime janë të mira pasi kanadezët kanë potenciale për të investuar në Kosovë”, tha Thaçi.

I pyetur sa i përket liberalizimit të vizave, Thaçi tha se edhe në këto takime do të jetë temë diskutimi kjo çështje.

“Natyrisht që do të flasim edhe për çështjen e të ardhmes evropiane. Kosova ka përmbushur kriteret, shpresojmë se gjatë muajit qershor Komisioni Evropian të dal me rekomandim pozitiv dhe deri në fund të vitit qytetarët e Kosovës të mund të lëvizin lirshëm”, ka shtuar ai./Indeksonline.