17:29 / E Enjte, 28 Qershor 2018 / indeksADMonline

Thaçi raporton para medieve për takimin në Bruksel dhe çka pritet në muajt e ardhshëm

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka folur rreth takimit të fundit që pati në Bruksel me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq.

Në takimin që u ndërmjetësua nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, Thaçi ka thënë se kanë diskutuar rreth kornizës së marrëveshjes ëprfundimtare.

E kjo marrëveshje, sipas Thaçit do të jetë marrëveshje e pajtimit, normalizimit dhe njohjes reciproke, raporton Indeksonline.

Presidenti ka komentuar edhe çështjen që së fundmi u diskutua në opinion. Ai ka thënë se është i gatshëm të raportojë edhe para Kuvendit të Kosovës apo edhe Qeverisë, nëse një gjë e tillë i kërkohet.

Sipas tij, marrëveshja përfundimtare sidoqoftë në fund do të arrijë në duar e të zgjedhurve të popullit të cilët do ta miratojnë atë, raporton Indeksonline.

Më poshtë gjeni pjesën e fjalimit të Thaçit:

Në mandatin tim si president i Republikës së Kosovës, me ndërmjetësimin e ëprfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini në Bruksel jam takaur me Aleksandër Vuçiq.

Ky takim shënon fillimin e fazës përfundimtare të dialogut mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Synojmë arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht e ndërkombëtarisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve dhe popujve tanë, njohjen reciproke në mes të shteteve tona.

Motiv për të dialoguar mbetet dëshira jonë që qytetarëve tanë tu ndërtojmë paqe të ndërrueshme dhe të ardhme të sigurt evropiane.

Ka më shumë se dy dekada që Kosova ka kërkuar dialog si mjeti i vetëm për të zgjidhur kontestet e hapura në konfliktin në mes të Kosovës dhe Serbisë. Gjatë tërë këtij procesi Kosova ka qenë konstruktive dhe e hapur për çdo takim dhe çdo iniciativë për të realizuar aspiratën e qytetarëve tanë për jetë më të mirë. Edhe në takimin e fundit kemi qenë bashkëpunues në kërkimin e opsioneve në rast se cfarë është e mundur të arrihet në këtë proces dhe se çka mund të arrihet në këtë fazë përfundimtare të dialogut.

Ky ishte vetëm takimi i parë fillestar dhe në javët e muajt e ardhshëm do të diskutohet substanca e marrëveshjes përfundimtare. Tani për tani, inicialisht është folur vetëm për kornizën e marrëveshjes, asgjë më tepër. Presin ftesën për takimin e ardhshëm që presim të ndodhë shpejt. Është e ditur se marrëveshja përfundimtare do të jetë obliguese për të gjitha organet.

E mirëpres faktin se mediat, shoqëria civile, janë shprehur në favor të dialogut.

Partitë po mbajnë takime dhe besoj se janë në fazën përfundimtare

Konsensusi për dialogun është qenësore të arrihet sa më shpejte. Procesi po ecë dhe nuk mund të ndalemi në këtë. I ftoj të gjithë që të bëhen pjesë e këtij diskutimi. Kjo do të sigurojë ekspertizë, përgatitje të duhur por edhe konsensus politik sa më të gjerë të tërë procesit.

Jam i gatshëm që sikur kam bërë në përgjegjësitë tjera institucionale, edhe tani si president t`i adresohem në informimin e Kuvendit apo edhe të Qeverisë dhe t`i informoj qytetarët e Kosovës për këtë fazë përfundimtare të dialogut.

Marrëveshja në fund do të dërgohet në Kuvend për të marrë vulën miratimit nga përfaqësuesit e popullit.

Nga bisedimet pres të jenë të rënda dhe të vështira, është një konflikt që pritet të mbyllet me marrëveshje të pajtimit, normalizimit dhe njohjes reciproke.