Pas dështimit të liberalizimit, ministrja Dhurata Hoxha ia mësyen Brukselit
Një ditë pas konfirmimit nga Johanes Hahn se liberalizimi nuk do të ndodhë këtë vit, ministrj Dhurata Hoxha është nisur për Bruksel.
Ministrja e Integrimit Evropian po merr pjesë në takimin e nivelit të lartë në Bruksel, nën organizimin e “Friends of Europe”, me temën “BE-Ballkani Perëndimor: Zgjerimi, integrimi dhe sfidat e transformimit”.
Procesi i integrimit evropian është një nga qëllimet kryesore të vendit tonë, pasi kemi vlerat dhe parimet e përbashkëta të Evropës, vuri në dukje Ministrja Hoxha në fjalën hyrëse.
Nuk ka dyshim se ne jemi patjetër vendi më pro-evropian në Evropë, potencoi Ministrja Hoxha, por çështja është nëse Bashkimi Evropian kujdeset për t’i bërë kosovarët të ndjehen pjesë e Evropës dhe vlerave të saj, gjë që nuk duket.
Pastaj, Ministrja Hoxha ka elaboruar çështjen e vizave.
“Siç është konfirmuar nga Komisioni Evropian, Kosova ka përmbushur të gjitha 95 kriteret nga udhërrëfyesi i ofruar në vitin 2012. Votimi në Parlamentin Evropian ishte shumë inkurajues për ne, duke shtyrë një hap përpara drejt qëllimit përfundimtar, i cili është lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës. Ndryshe nga vende të tjera nga rajoni, Kosova kishte 95 kritere për të përmbushur, numrin më të madh të kritereve. Kosova ka bërë detyrat e shtëpisë duke përmbushur të gjitha 95 kriteret që nuk ishin të lehta”, potencoi Ministrja Hoxha.
Rreth 5 muaj më parë, ceku Ministrja, Komisioni Evropian konfirmoi përmbushjen e kritereve nga Kosova dhe Kosova nuk ka rezultate, madje pa shpjegime të arsyeshme pse BE nuk është në gjendje të mbajë premtimin e saj dhe të respektojë rregullat dhe procedurat e veta.
“Për 20 vjet ne besuam se institucionet e BE-së do të bëjnë gjithçka që munden për të mbajtur perspektivën evropiane të vendit tonë, si për të gjithë rajonin, dinamik, konkret dhe të arritshëm, por kjo duket e pamundur në këtë fazë dhe mund të imagjinoni se sa dëshpëruese është kjo për qytetarët tanë”, potencoi Ministrja Hoxha dhe shtoi se si të besohet në procesin e zgjerimit dhe konsensusin e BE-së për zgjerimin me vendet e Ballkanit perëndimor nëse BE-ja nuk mund të japë përgjigje teknike si liberalizimi i vizave.
Ministrja Hoxha, shprehu brengën që Kosova është i vetmi vend i izoluar në Ballkanin Perëndimor, duke pasur vetëm MSA-në e nënshkruar, duke vënë në dukje gjasat e vogla që Kosova së shpejti të ketë një perspektivë evropiane.
“Kosova po bën gjithçka për të përmbushur standardet, parimet dhe vlerat e BE, megjithatë duket sikur po i afrohemi BE-së, e ajo po ikë prej nesh”, potencoi Ministrja Hoxha duke vënë në dukje rreziqet nga politika agresive globale për të ndikuar me agjendat e veta në rajon por edhe kapacitetet e Ballkanit perëndimor për t’i rezistuar atij ndikimi.