14:48 / E Diele, 09 Shtator 2018 / indeksADMonline

Urologu i QKUK-së alarmon për gurët në veshka tek fëmijët, jep disa këshilla

Gurët në veshka tek një numër i madh i pacientëve të moshave të reja, është shqetësuese për urologun Dr. Sabit Mehmeti. Ai ka treguar shkaqet dhe simptomat e këtij problemi shëndetësor, derisa ka dhënë edhe disa këshilla.

Në Klinikën e Urologjisë në QKUK, përgjatë një jave trajtohen shumë pacientë me gurë në veshka. Ky problem shëndetësor trajtohet me aparaturën ESWL e cila bën fragmentimin e gurëve nëpërmjet laserit. U.D. i drejtorit të Klinikës, Dr. Sabit Mehmeti, thotë se ky lloj trajtimi bëhet pa anestezion dhe përsëritet në disa raste kur gurët rishfaqen në veshkë.

Mehmeti deklaron se shqetësuese mbetet formimi i gurëve tek moshat e reja të pacientëve, shkruan Gazeta Shneta.

“Shkaktari kryesor i gurëve në veshka është faktori gjenetik, pra tek fëmijët po shfaqët ngase e kanë trashëguar nga familjarët”, ka bërë të ditur mjeku. Një tjetër shkaktar është edhe mungesa e ujit në veshka.

“Uji dhe ushqimi që konsumoni duhet të jenë të shëndetshëm, në rast të ndonjë dhembje apo urinimi të shpeshtë kontrollohuni sepse diagnostikimi i hershëm ka rolin kryesor në mjekim”. Sipas mjekut, simptomat e kësaj sëmundje janë gjaku në urinim.

“Kur gurët lëvizin nuk ka dhembje, por kur ka dhembje dhe gjak në urinim atëherë situata është shumë serioze”, ka sqaruar Mehmeti. Ndërsa, një tjetër sëmundje e përhapur është edhe tumorët e fshikëzes urinare, organit rezervar të ujit.

“Personat më të rrezikuar të kësaj sëmundje janë individët që punojnë me ngjyra, që bëjnë lyerje të gjërave apo objekteve”, ka deklaruar Mehmeti. Kjo sëmundje atakon moshat mbi 40 vjeç, dhe shkaktohet edhe nga konsumimi i duhanit apo faktori gjenetik.

“Tumorët në fshikzën urinare shërohen lehtë kur janë në fazën fillestare ngase bëjmë grryerjen e tyre”, ka përfunduar mjeku.