10:33 / E Martë, 07 Korrik 2020

​ATK-ja me njoftim të rëndësishëm për tatimpaguesit

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) rikujton të gjithë personat fizikë jo afaristë, personat fizikë afaristë dhe personat juridikë, se janë të detyruar të deklarojnë dhe të paguajnë tatimet dhe kontributet pensionale në mënyrë reale dhe në kohë, ashtu siç është përcaktuar me legjislacionin tatimor.

Me qëllim të zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës, si edhe vendimit të ministrit të Financave dhe Transfereve të datës 29.04.2020, për marrjen e masave shtesë pas konfirmimit të rasteve me COVID-19, ATK-ja kishte njoftuar për zgjatjen e afatit për deklarimin dhe pagesën e detyrimeve tatimore dhe kontributeve pensionale për periudhën tremujore me formularët tatimorë IS, IL, QS dhe QL deri më 30 qershor.

Deri tani jo të gjitha bizneset e obliguara kanë deklaruar dhe paguar këto detyrime tatimore, andaj ATK-ja u bënë thirrje që sa më parë të deklarojnë dhe të paguajnë me qëllim që të përmbushin detyrimet tatimore të parapara me legjislacionin tatimor.

ATK-ja bën me dije se tani kanë hyrë në afatin për deklarim nga të njëjtat biznese për periudhën TM2/2020, ku përmbushja e detyrimit tatimor duhet të bëhet deri më 15 korrik 2020.