14:04 / E Martë, 07 Korrik 2020

​Azemi: Turp për deputetët, që po e pengojnë zbatimin e paketës emergjente

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka deklaruar se rreth 40 për qind e mjeteve të paketës emergjente fiskale, janë keqpërdorur.

Në një konferencë shtypi pas takimit me ministren e Financave, Hykmete Bajrami, Azemi ka thënë se mjetet e ndara nuk u kanë shkuar punëtorëve.

Ai ka shtuar se këto parregullsi janë adresuar në prokurori, ndërsa ka kërkuar nga Bajrami që të mos ketë keqpërdorime të tilla në pagesat e dyta.

“Ministren e kemi njoftuar lidhur me keqpërdorimet që janë bërë tek bartja e mjeteve, kryesisht tek pagat e punëtorëve, për të cilët kemi dhënë një njohuri që 30-40 përqind të mjeteve nuk kanë shkuar tek punëtorët, por janë keqpërdorë. Ne ofruam një bashkëpunim për eliminimin e keqpërdorimeve që janë bërë në rundin e parë dhe të mos ndodhë edhe në rundin e dytë. Ne i kemi thënë (ministres) nëse ndodhin keqpërdorimet edhe në raundin e dytë, një pjesë përbërëse e keqpërdorimeve për të cilën ajo na ka garantuar se shteti me gjithë mekanizmat e vet do të influencojë dhe do të jetë prezent çdo kund aty ku janë bërë keqpërdorimet, normal duke i ofruar faktet edhe ne”, theksoi Azemi.

Azemi u ka bërë thirrje deputetëve që ta votojnë rishikimin e buxhetit sepse është turp për ta që tua pamundësojnë punëtorëve kafshatën e gojës me pagën 170 euro, si masë nga pakoja emergjente fiskale.

“Çelësi, hë për hë për ndarjen e mjeteve të rundit të dytë është tek deputetët e parlamentit të Kosovës, dhe me plotë përgjegjësi po e them ata gjithçka mund të jenë, vetëm deputetë s’mund të jenë, sepse vetëm për teket e tyre nuk e aprovojnë rishikimin e buxhetit të Kosovës, me të cilin qeverisë i jepet mundësi të bënë ndarjen e mjeteve. Andaj, të sanksionohet kafshata e bukës të një punëtori, i cili në fund të muajit pret që t’i marrë 170 euro e për dëshirën e tyre këta deputetë nuk e aprovojnë këtë ligj, unë them që gjithçka mund të jenë, por jo edhe deputetë të parlamentit të Kosovës. Pra, është marre për veprimet çka janë duke bërë. Edhe ministrja e pranoi, që nëse nuk do të aprovohet rishikimi i buxhetit, atëherë nuk ka arsye pse të ekzistojë kjo qeveri”, tha ai.

Po ashtu, Azemi theksoi se takim me ministren Bajrami është biseduar edhe për tërheqjen e 10 për qind të mjeteve nga Trusti, ku ka treguar se nuk do të ketë rimburësim të mjeteve nga Qeveria.

“Një pikë e veçantë ka qenë edhe tërheqja e mjeteve nga Trusti, që për një kohë të gjatë është biseduar sesi të veprohet dhe qysh në fillim e pranoi edhe ministrja që 10 përqind nga Trusti pensional ta rimburësojë, por megjithatë sot definitivisht e tha se tërheqja e mjeteve ndoshta për një kohë të shkurt mund të bëhet, por qeveria e Kosovës nuk do të ketë mundësi dhe fuqi që ta rimburësojë… Ne si sindikatë kemi kërkuar që në vendet ku ka qenë rrezikshmëria e punëtorëve teknikë dhe të sigurimit ku ka rrezikshmëri nga pandemia të vazhdohet edhe për nga 2 muaj pagesa sepse ata janë në gjendje shumë më të rëndë sesa punëtorët publik edhe një pjesë e sektorit privat që nuk kanë rrezikshmëri të lartë”, theksoi ai.

Ndryshe, ende nuk janë proceduar nga Ministria e Financave ndryshimet ligjore për Trustin në Qeveri dhe pastaj në Kuvend. 

Mos i humb