19:10 / E Premte, 29 Maj 2020

​BE: Liderët politikë në Kosovë të përmbahen nga gjuha nxitëse

Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova dhe shefat e misioneve të BE-së në Kosovë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, si parim kyç i sundimit të ligjit, kanë ftuar të gjithë akterët politikë të Kosovës që ta zbatojnë atë.

Në një deklaratë të lëshuar nga zyra e BE-së në Kosovë thuhet se tani i takon Kuvendit që t’i ndërmerr hapat e nevojshëm kushtetues, në përputhje me vendimin e Gjykatës.

“BE u bën thirrje të gjithë liderëve politikë që të përmbahen nga gjuha nxitëse dhe ta shprehin mospajtimin e tyre ekskluzivisht në mënyrë paqësore dhe demokratike”, thuhet në deklaratë.

Gjykata Kushtetuese dje publikoi vendimin e marrë lidhur me dekretin e presidentit Hashim Thaçi për dekretimin e Avdullah Hoti si kryeministër të Kosovës.

Ky vendim u prit mjaftë mirë nga LDK dhe partitë të cilat pritet të jenë pjesë e këtij koalicioni qeverisës, por u kundërshtua nga Lëvizja Vetëvendosje të cilët në shumë raste deklaruan se po shqyrtojnë të gjitha opsionet e kundërshtimi të vendimit të Kushtetueses./Indeksonline/