11:36 / E Shtunë, 08 Gusht 2020

​Bie numri i rasteve me kancer në Kosovë, shkak pandemia

Në shtatë mujorin e parë të këtij viti kishte një ulje për rreth 15 përqind të rasteve të reja me kancer në Kosovës. Shkaktarë i uljes së shifrave të kancerit në vend, është përhapja e koronavirusit, ku me qëllim të parandalimit të përhapjes së COVID-19 institucionet shëndetësore i kanë shtyrë shërbimet mjekësore dhe në këtë mënyrë është vonuar diagnostikimi i sëmundjeve malinje.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi në një intervistë për KosovaPress, thotë se në dy muajt e fundit me shtimin e ofrimit të kontrolleve mjekësore, është ngritur edhe numri i personave që janë të prekur nga kanceri.

“Këtë vit deri në korrik kemi regjistruar diku 780 raste të reja, krahasuar me këtë periudhë të vitit të kaluar, kem 10 deri 15 përqind më pak, pasi që vitin e kaluar deri në korrik kemi pasur rreth 900, 880 deri 900 raste të reja. Kjo është e pritur duke pasur parasysh faktin se në këtë kohë pandemie, shërbimet tjera mjekësore në Klinik dhe Shërbimin Klinik Universitar, kanë qenë më të pakta dhe disa edhe janë shtyrë, andaj edhe diagnostikimi i sëmundjeve malinje është vonuar, por prapë se prapë këtyre dy muajve të fundit kemi një ngritje të diagnostikimit të rasteve dhe kemi ngritje të numrit të pacienteve të cilët kërkojnë ndihmë dhe shërim në klinikën tonë“, u shpreh ai.

Trendi i llojshmërisë së kancerit, sipas Kurtishit, vazhdon të jetë i njëjtë, derisa te gjinia femërore edhe këtë vit dominon kanceri i gjirit me gjithsej 175 raste të reja. Meshkujt janë më të atakuar nga kanceri i mushkërive dhe deri në këtë periudhë të vitit, janë evidentuar rreth 110 pacientë.

Drejtori i Klinikës Onkologjike thotë se brengosës është shtimi i rasteve të reja me kancer në lukth dhe pankreas.

“Dominon tek gjinia femëror kanceri i gjirit që deri në këto momente kur flasim kemi regjistruar gati 170-175 raste të reja, femra të gjitha moshave me këtë sëmundje në vendin e dytë vjen dhe që është në radhë të parë tek meshkujt kanceri i mushkërive, kurse në vendin e dytë dhe në vendin e tretë vjen kanceri i zorrës së trashë, apo kanceri kolorektal, që deri në këto momente që ne flasim kemi evidentuar gati 100 raste, ndërsa sa i përket kancerit të mushkërive deri në korrik 2020 deri tani është sillet diku nga 100 deri 110 raste të reja. Kurse në ngritje dhe vazhdon të jetë brengosës për Kosovës dhe vendet tjera është rritja e rasteve me kancer të lukthit, kancer të pankreasit dhe kancer të testisjeve të meshkujve ku nga viti në vit kemi një numër të të rinjve që e fitojnë këtë sëmundje”, theksoi Kurtishi.

Në këtë kohë kur pandemia ka shënuar shifra të larta edhe në vendin tonë, pacientët që vuajnë nga kanceri po ballafaqohen edhe me COVID-19.

Sipas onkologut, Ilir Kurtishi në muajt e fundit është rritur numrit i pacientëve me kancer që janë prekur me koronavirus.

“Në muajin e fundit numri i personave me kancer të infektuar është dukshëm më i lartë pasi që çdo ditë na informojnë pacientët të cilët nuk mund të vijnë në trajtim pasi kanë fituar ethe dhe temperaturë dhe janë diagnostikuar dhe testuar për COVID dhe në konsult me infektolog i kemi monitoruar dhe për fat të mirë deri tash ne nuk kemi të dhëna se ndonjë nga këta pacientë që ka qenë në trajtim onkologjik dhe kanë qenë me COVID ka përfunduar me fatalitet”, theksoi Kurtishi.

Përhapja e pandemisë nuk ka ndikuar që të mos ofrohen shërbime në Klinikën Onkologjike. Nga janari deri tani, sipas udhëheqësit të kësaj klinike janë ofruar mbi 100 mijë shërbime.

Por COVID-19 ka shkaktuar disa telashe në furnizimin me ilaçe të cilat pacientët është dashur t’i sigurojnë vetë.

“Ne kemi dhënë shërbime gjatë gjithë kohës dhe deri tani tash numërojmë mbi 100 mijë shërbime , iu kemi dal në ndihmë të gjithë pacientëve të cilët kanë pasur nevojë për trajtim onkologjik , nuk i kemi ndal asnjëherë…E kemi modifikuar formën e terapisë, kohëzgjatjen e terapisë, periodat e dhënies së ilaçeve por në përgjithësi pacientët që kanë pasur nevojë me i krye këto shërbime i kryer dhe nuk i kemi lënë me dal jashtë Kosovës për të kryer shërbimet që është dashur. Shërbimi me ilaçe ka qenë relativisht i mirë, kemi pasur në këtë muajin e fundit që kemi pasur pak probleme me furnizimi me disa nga këto ilaçe që pacientët është dashur t’i sigurojnë vetë, kjo është problem i operatorëve ekonomik dhe jo me neve. Dhe disa herë kemi pasur probleme me aparaturën për rrezatim e cila është e vjetër”, thotë drejtori i Klinikës Onkologjisë. /B.Ibishi/

Mos i humb