17:18 / E Hënë, 03 Tetor 2022 / GF

​Evropa goditet nga kriza më e keqe e gripit të shpendëve ndonjëherë këtë vit

Evropa përjetoi krizën e saj më të keqe të gripit të shpendëve ndonjëherë këtë vit, me rreth 50 milionë shpendë të ngordhur, dhe qëndrueshmëria e virusit gjatë verës rriti rrezikun e infeksioneve të përhapura sezonin e ardhshëm, tha Autoriteti Evropian i Sigurisë Ushqimore (EFSA).

Përhapja e gripit të shpendëve shumë patogjene, HPAI shqetëson vendet dhe industrinë e shpendëve për shkak të vdekjeve të mundshme të tufave, kufizimeve të mundshme tregtare dhe rrezikut të transmetimit të virusit te njerëzit.

Sipas një rishikimi të përbashkët nga EFSA, Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve dhe laboratorin e referencës së BE-së, një numër i paprecedentë shpërthimesh në zogj të egër dhe shtëpiak u raportuan këtë verë, duke shkaktuar vdekshmëri masive në mesin e kolonive të shumimit të shpendëve të detit në bregdetin e Atlantikut të Veriut.

Gripi i shpendëve zakonisht godet gjatë muajve të vjeshtës dhe dimrit dhe transmetohet nëpërmjet feçeve të shpendëve të egër migrues të infektuar ose nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë me ushqimin, veshjen dhe pajisjet e kontaminuara.

“Me fillimin e migrimit të vjeshtës dhe rritjen e numrit të zogjve të egër që dimërojnë në Evropë, ata ka të ngjarë të jenë në rrezik më të madh të infeksionit HPAI sesa në vitet e mëparshme për shkak të qëndrueshmërisë së vëzhguar të virusit në Evropë”, tha EFSA në një deklaratë.

Epidemia e këtij sezoni ka prekur gjithsej 37 vende evropiane, që është shtrirja më e madhe gjeografike deri më tani, dhe virusi kapërceu Atlantikun për herë të parë përgjatë rrugëve të migrimit, duke shkaktuar një epidemi të rëndë të shpendëve në disa provinca kanadeze dhe shteteve amerikane.

Kriza e gripit të shpendëve këtë sezon është më e keqja e regjistruar në Evropë me një total prej 2,467 epidemish të raportuara të shpendëve dhe 47.7 milionë zogj të vrarë.

EFSA rekomandoi zbatimin e shpejtë të strategjive të reduktimit të rrezikut dhe mbikëqyrjen për zbulimin e hershëm të virusit.