18:44 / E Shtunë, 27 Qershor 2020 / indeksADMonline

​Familjet e dëshmorëve: Aktakuza ndaj Thaçit dhe Veselit, e rëndë dhe e padrejtë

Familjarë të dëshmorëve të vendit, të cilët ranë gjatë luftës çlirimtare, thonë se është e papranueshme aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale për presidentin e vendit, e kryetarin e PDK-së. Këto akuza për Hashim Thaçin e Kadri Veselin, sipas tyre janë të rënda dhe të fabrikuara nga persona të cilët nuk ia duan të mirën Kosovës. Ndërkohë, që shprehin dyshimin se këto po lidhen pikërisht në kohën kur është në prag, finalizimi i dialogut me Serbinë.

Vëllai i dy heronjve të Kosovës, Fahri e Bahri Fazliut, jeton ende në banesën ku që nga viti 1982, kishte shërbyer për takime në bazë ilegale të shumë veprimtarëve të cilët shërbyen në luftën çlirimtare të Kosovës.

Në këtë banesë Fadil Fazliu kujton që vinin shpesh edhe Hashim Thaçi e Kadri Veseli, të dy këta si shokë të kamotshëm, që sipas aktakuzës dyshohet se janë përgjegjës për krime lufte.

“Një bazë e cila i ka shërbyer prej vitit 82’ e deri gjatë luftës ilegalëve, njerëzve të organizuar për çlirimin e Kosovës. Këtu ka qenë Fadil Vataj, ka qenë Afrim Zhitia, ka qenë Fahri Fazliu, Çeta e Llapit që i kemi thënë ne, ka qenë edhe Hashim Thaçi që po akuzohet sot dhe Kadri Veseli. Kanë qenë shpesh në takime, sidomos me Bahriun. Në këtë shtëpi kanë qenë edhe Hashimi edhe Kadriu. Gjithë ky aktivitet i shumë njerëzve çlirimtare, e sot të akuzohesh për një veprimtari të tillë që se kemi bërë nga Gjykata Speciale, është e padrejtë”, tregon Fazliu.

Fadili thotë se akuza të tilla janë të rënda për gjithë dëshmorët e veprimtarët, për çka shton se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë luftë me ideale të larta.

“Qysh në vitin 89’ jemi njohur me ta edhe e kemi bërë një rrugë të gjatë me ta. Arsyeja pse jemi njohur me ta ka qenë Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, të cilët kanë pasur raporte me ta dhe i kanë njohur. Akuza e ngritur nga Gjykata Speciale i vlerësojmë si jo të mira, sidomos për familjarët e dëshmorëve, por edhe për veprimtarët tonë që kemi qenë. Është një akuzë e padrejtë. Të akuzosh veprimtarët të cilët veprojnë, luftojnë për çlirimin e vendit, e mos të akuzosh të pushtuarit të cilët na kanë pushtuar me vjet të tëra, një ndër ta edhe gjatë luftës çlirimtare të Kosovës, e cila ka qenë luftë me ideale të larta”, tregon ai.

Fadili, i cili është vëllai i Bahriut e Fazliut, të dy këta heronj të kombit, thotë se të krahasosh pushtuesin me të pushtuarin është e rëndë. Kjo aktakuzë e ngritur nga Prokuroria Speciale ditë më parë, Fazliu thotë se ka ardhur pikërisht kur Kosova po synon finalizimin e dialogut me palën serbe.


“Për Kosovën një aktakuzë e tillë është shumë e rëndë dhe jo e drejtë. Për arsye se në momentin më kritik, në momentin më vendimtar e cila ka Kosova e mori rrugën e finalizimit të dialogut, ka ardhur aktakuza. Aktakuza ka mund të vijë para dy apo tri vjetësh, edhe pse nuk është e drejtë të gjykosh çlirimtaret, ka mund të vijë, por nuk ka ka ardhur”, shton Fazliu.

Fazliu thotë se pafajësisht po akuzohen të gjithë ata që kanë shërbyer për çlirimin e vendit. Si familjarë i dëshmorëve shpreh keqardhjen e tij për akuzat që po i mveshën Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Këto akuza mendoj që janë të fabrikuara nga ata që nuk ia duan të mirën vendit, sidomos Eulex-it, Bashkësisë Evropiane, Gjykatës Speciale. Por frikën e kam që mos është edhe dikush tjetër, ndonjë njeri i joni i cili mendon që për të hjekur qafe nga skena politike mund të bëhet edhe dëshmitar i rrejshëm. Sic kemi dëgjuar ka dëshmitar mjaft, njerëzit janë ka presin me dëshmua luftën e çlirimtarëve”, thotë ndër të tjera Fazliu.

Më 2 nëntor të vitit 1089, të dy bashkë Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu u rrethuan në lagjen “Kodra e Diellit” dhe pas një lufte disa orësh që bënë me forcat pushtuese, shkruan kështu “Epopenë e Qëndresës”.

Sot Fahriut i është përtërirë emri, djali i Fadilit mban emrin e tij. 29 vjeçari thotë se ndihet krenar për këtë, ani pse nuk e ka njohur axhën e tij, beson në luftën e pastër të Fahriut, dhe bashkëluftëtarëve të tjerë.

“Ndihem krenar për emrin që e mbaj, unë Fahriun nuk e kam njohur, unë emrin e mbaj pas 1 viti e tre muaj. Kam lindur dhe më kanë lënë emrin e dëshmorit Fahriut. Kam dëgjuar për historinë, për rrjedhat, për luftën që kanë pasur këtu në Bregun e Diellit, kemi qenë të rrethuar, kam dëgjuar nga nëna, halla nga familja…. (07:59) Ne si familje e dëshmorëve ndjehemi shumë keq, është për keqardhje pse me ndodhë për bashkëveprimtarët e Fahriut në këtë rast siç është presidenti aktual Hashim Thaci, kreu i PDK-së Kadri Veseli, dhe shumë bashkëveprimtarë të tjerë. Ne i kemi përjetuar shumë rëndë këto aktakuza të shpifura”, shprehet ai.

Lajmin për ngritjen e aktakuzave, presidenti Hashim Thaçi e mori derisa po udhëtonte drejt Uashingtonit për një takim me palën serbe në Shtëpinë e Bardhë. Pjesëmarrjen e tij në këtë takim presidenti e anuloi.