23:59 / E Enjte, 10 Tetor 2019

​Hahn: Shtyrja e hapjes së negociatave me Shqipërinë, do të ishte gabim i madh politik

Komisioneri Evropian për Zgjerimin, Johannes Hahn deklaroi sot për agjencinë italiane të lajmeve ANSA se hapja e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian me Maqedoninë e Veriut dhe refuzimi i kandidaturës së Shqipërisë “do të ishte një gabim i madh politik”.

“Unë do të bëj gjithçka për ta shmangur këtë”, u shpreh Komisioneri Evropian gjatë një prononcimi për ANSA-n dhe një grup mediesh të tjera ndërkombëtare vetëm një javë përpara samitit të liderëve të BE-së më 17 dhe 18 tetor.

“Vendet anëtare të BE-së shpesh vendosin për arsye të lidhura ngushtësisht me politikën e tyre të brendshme, por disa sinjale më bëjnë optimist”, shtoi Hahn, duke theksuar se ai ka konstatuar gatishmëri për të kërkuar një zgjidhje nga Franca.

“Ka ende kohë për arritjen e një marrëveshjeje dhe kjo është njëkohësisht çështje përgjegjësie dhe besimi edhe për BE-në”, theksoi Hahn./ATSH/