12:08 / E Mërkurë, 21 Tetor 2020

​Hoti: S’ka kompetenca ekzekutive për Asociacionin…

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka ritheksuar se marrëveshja me Serbinë nuk do prekë karakterin unitar të shtetit të Kosovës dhe se nuk do të ketë Asociacion… me kompetenca ekzekutive.

Kjo deklaratë e tij vjen pas kërkesës së fundit të përfaqësuesit special të BE-së për dialogun, i cili tha se duhet të bëhen ndryshime kushtetuese me qëllim të funksionalizimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Sipas tij çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nuk mund të hapet.

“Dialogu do të projektohet vetëm në ato parime, dhe ato parime janë të qarta nuk preket integriteti territorial i vendit, nuk preket karakteri unitar i shtetit të Kosovës dhe kjo i përjashton plotë çështje të tjera dhe marrëveshja duhet të jetë gjithëpërfshirëse obligative me pikën e parë për njohje reciproke, ose arrijmë një marrëveshje të tillë, ose nuk ka fatkeqësisht marrëveshja fare dhe Kosova dhe Serbia vazhdojnë si dy vende fqinje që nuk e njohin njëra-tjetrën…Kushtetuta është prekur në vitin 2013 kur është ratifikuar kjo marrëveshje që është ratifikuar me 2/3 në Kuvendin e Kosovës, atë që kam deklaruar vazhdimisht po e them edhe sot që kjo çështje më nuk hapet, por është krijuar një obligim i shtetit të Kosovës karshi këtij asociacioni. Marrëveshja përfundimtare nëse arrihet mbi këto parime që i prezantova edhe njëherë duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës. Nuk preket karakteri unitar i shtetit të Kosovës, dhe nuk ka kompetenca ekzekutive për Asociacionin… dhe ju e dini se janë bërë publike edhe zotimet e BE-së para sa viteve kur është diskutuar marrëveshja e parimeve e vitit 2015”, tha Hoti.

Kreu i Ekzekutivit para gazetarëve ka thënë se nuk pret që çështja e Asociacionit… ta bllokojë procesin e dialogut me Serbinë.

“Nuk pres që Asociacioni… të bllokojë procesin e dialogut për shkak se është një dakordim edhe i ndërmjetësit për dialogun, që çështja e Asociacionit…, pra marrëveshja është temë e mbyllur dhe çdo gjë që bisedojmë tash sepse vlen parimi se nuk dakordohemi për asgjë derisa nuk e përmbyllim plotësisht marrëveshjen. Nëse bllokohet jo për shkak tonin, sepse unë besoj se kemi treguar mjaft përkushtim për këtë proces, duke marrë veprime shumë të vështira dhe jo populiste në fillim të mandatit tonë. Krejt përkushtimin tonë e kemi treguar se jemi të gatshëm të ulemi në tavolinë të dialogut dhe po e bëjmë këtë vazhdimisht”, ka deklaruar kreu i Ekzekutivit.

Shefi i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti, ka paralajmëruar një aksion tjetër si në Karaçevë. Sipas Hotit veprimet konkrete do shihen javëve në vijim.

“Aksioni në Karaçevë pa dyshim që është sukses i madh një aksion që ka munguar ndoshta qe 10 vjet, qeveri pas qeverie kanë hequr dorë nuk e kanë marrë guximin me i hy asaj pune, kjo është e vërteta. Nuk e kemi pas asnjë mëdyshje që nga marrja e mandatit se ajo punë duhet me u krye derisa janë bërë përgatitjet e nevojshme. Por kur i sheh rezultatet nuk është shkuar deri në fund nuk janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme kanë ngecur diku veprimi. Pa dyshim që ky mbetet aksion i rëndësishëm dhe do vazhdojmë edhe më tej. Tashti po punohet në aksione të tjera dhe ju do të shihni veprime konkrete në javët në vijim në vendosjen e ligjshmërisë“, theksoi Hoti.

Derisa shprehet i bindur se mandati i kësaj qeverie do shkojë deri në fund, Hoti tha se gjithmonë do i përgjigjet Kuvendit të Kosovës pasi kështu e obligon edhe Kushtetuta e Kosovës.

“Unë do i përgjigjem Kuvendit sa herë që ka nevojë, sa herë që ka ftesë për interpelancë sepse jam i obliguar sipas Kushtetutës që të përgjigjem. Kam raportuar katër herë deri tani për të njëjtën temë dhe raportoj edhe sot do i informoj deputetët e Kuvendit, do t’i them të gjitha informatat, do them jo një pjesë të së vërtetë,s por të vërtetën e plotë për procesin e dialogut dhe për temat që janë ngritur në interpelancë. Agjendën e kësaj qeverie e keni parë do vazhdojmë me punë për vendosjen e ligjshmërisë. Jam i bindur se do ta çojmë mandatin deri në fund, nuk shoh asnjë arsye që të ketë zhvillime tjera”, u shpreh kreu i qeverisë.

Gjatë kësaj konferencë shtypi, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i ka arsyetuar edhe shkarkimet e drejtorit të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, drejtorin e Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj dhe ushtruesin e detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Doganës së Kosovës, Ibrahim Xhaka.