13:34 / E Enjte, 02 Korrik 2020

​Hoti, s’i tregon emrat e Këshillit të ekspertëve për dialogun me Serbinë

Qeveria e Kosovës dhe Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë kanë nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi për emërimin e pozitave të larta drejtuese.

Ambasadori Nicholas Abbott, tha se përvojat e kaluara tregojnë se rekrutimet vazhdojnë të mbesin sfidë e madhe për Kosovën dhe institucionet.

“Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë në nivelin e lartë drejtues. Raporte të auditorit kombëtar dhe gjetjet janë shenjë se institucionet kanë nevojë për njerëz profesionistë dhe me integritet. Suksesi i projektit do të jetë sukses i Kosovës dhe dështimi i projektit do të jetë dështim i Kosovës”, tha ai.

Kryeministri Avdullah Hoti, tha se përmes kësaj marrëveshjeje synojnë të arrijnë transparencë dhe konkurrencë meritore për pozita të larta.

I pyetur për përbërjen e Këshillit e ekspertëve për dialogun me Serbinë, Hoti nuk i ka treguar emrat, duke thënë se do të ketë edhe një koordinator shtetëror që do emërohet së shpejti.

Qeveria e Kosovës, dje ka marrë vendimin për të themeluar Këshillin e ekspertëve për dialogun me Serbinë, i cili do të funksionojë në kuadër të Zyrës së kryeministrit. Detyrë e anëtarëve të këshillit do të jetë përpilimi i analizave specifike dhe këshillimi i kryeministrit dhe Qeverisë për çështjen e dialogut.

Dialogu Kosovë-Serbi është ndërprerë në fund të vitit 2018 për shkak të tarifës që kishte vendosur Qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe. Barrierat tregtare janë hequr dhe Bashkimi Evropian është shprehur se planifikon rifillimin e dialogut.

Mos i humb