12:37 / E Mërkurë, 21 Shtator 2022 / LB

​Hoti paralajmëron qeverinë se Buxheti 2023 do të jetë në shpërputhje me KASH-in

Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka kritikuar Qeverinë e Kosovë për mënyrën e shpenzimeve buxhetore dhe ka paralajmëruar atë se Buxheti i vitit 2023 do të jetë në shpërputhje me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2022-2024(KASH).

Deputeti nga LDK-ja, Hoti tha se Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere nuk ka arritur ta shqyrtojë Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2022-2024(KASH), dhe siç potencoi ai duke parë mënyrën se si po bëhet dinamika e shpenzimeve buxhetore, Projektbuxheti 2023 do të jetë në shpërputhje të madhe me KASH-in.

Këtë çështje të ngritur nga deputeti Hoti, kryetari i Komisionit për Buxhet, Armend Muja e mori seriozisht dhe paralajmëroi se ministri i Financave, Hekuran Murati në mbledhjen e radhës do të ftohet të jetë prezent lidhur me shpenzimet buxhetore.

Hoti tha se nuk janë shqyrtuar disa raporte që kanë ardhur nga qeveria, të cilat sipas tij do të kishin shërbyer tani kur bëhet buxheti i vitit 2023.

“Dokumentet kanë ardhur vetëm për informim të komisionit dhe të kuvendit, por është e udhës që ne të diskutojmë dhe të nxjerrim rekomandimet e nevojshme, në mënyrë që në tetor kur qeveria përgatit buxhetin për vitin e ardhshëm t’i ketë parasysh. S’kemi mbërri me shqyrtuar KASH-in 2022-2024(Korniza Afatmesme e Shpenzimeve), dhe tash duke parë mënyrën se si po shkon dinamika e shpenzimeve, jam i sigurt që buxheti i vitit 2023 kur të vjen në kuvend ka me qenë në shpërputhje të madhe me KASH-in që është përgatitur në fillim të vitit. Sikur ne ta kishim diskutuar dikur në maj ose qershor, jam i sigurt që do të kishim nxjerrë rekomandime të mira për përgatitjen e buxhetit”, theksoi Hoti.

Deputeti Muja tha se mënyra e shpenzimeve dhe përgatitja e projektbuxhetit për vitin 2023 është prioritet edhe për deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Na mbetet që ministri Murati, dhe ai është i gatshëm që në afatin sa më shkurtër, mbase në mbledhjen e radhës të jetë prezent në lidhje me të gjitha këto që u potencuan, sepse janë prioritet edhe për ne. Edhe kjo do të jetë në rendin e ditës”, theksoi Muja.

Komisioni ka miratuar Raportin me amendamente të Komisionit Funksional për Projektligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Kryetari Muja tha se 415 mijë euro do të jetë buxheti për mbështetje të viktimave të krimit në periudhën 2021-2023.

“Vlerësimi i ndikimit buxhetor të Projektligjit për kompensimin e Viktimave të Krimit, sipas të cilit ndarjet buxhetore për departamentin e drejtësisë tranzicionale dhe mbështetje për viktimat e krimit për periudhën 2021-2023 është shuma 415 mijë euro. Kostoja e përllogaritur e këtij projektligji për periudhën 2022-2023 varet nga numri i rasteve të paraqitura për kompensimin e viktimave të krimit. Kjo shumë për vitin 2022 është në vlerë prej 39 mijë euro, për vitin 2023 kjo shumë do të jetë 51 mijë euro duke supozuar 16 raste të shqyrtuara dhe çdo rritje apo ulje e numrit të supozuar të rasteve të kompensimit paraqet rritje përkatësisht ulje të kostos shtesë të këtij projektligji”, tha Muja.

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere nuk ka shqyrtuar të mërkurën Raportin e shpenzimeve të Kuvendit për 6 mujorin e parë të vitit 2022.

Kryetari i Komisionit, Muja tha se kjo pikë e rendit të ditës shtyhet për një mbledhje të radhës për shkak të mungesës së sekretarit të Kuvendit të Kosovës, i cili gjendet jashtë vendit, në Shqipëri në një vizitë zyrtare së bashku me kryeparlamentarin Konjufca në Kuvendin e Shqipërisë