13:13 / E Enjte, 30 Korrik 2020

​Humbje rekord prej 7,3 miliardë euro për Renault

Prodhuesi francez i makinave Renault ka pësuar në gjashtëmujorin e parë humbjen më të madhe neto në historinë e tij, me 7,3 miliardë euro, si pasojë e ndikimit të partnerit të tij japonez Nissan dhe krizës shëndetësore.

Grupi, tashmë në vështirësi edhe para pandemisë dhe që njoftoi në fund të majit mbylljen e 15.000 vendeve pune në botë, prej të cilave 4.600 në Francë, theksoi se kishte hequr dorë nga çdo parashikim i rezultateve financiare për 2020 përballë pasigurive të lidhura me pandeminë e COVID-19.

“Situata është e pazakontë”, theksoi drejtori i ri i përgjithshëm, Luca de Meo, i cili mori funksionet në fillim të muajit.

“Megjithatë kam besim në kapacitetet e grupit për t’u ringritur sërish”, shtoi ai në një komunikatë për media.

“Kriza e tanishme shëndetësore ka pasur një ndikim të fortë në rezultatet e grupit për gjysmën e parë të vitit dhe i është shtuar vështirësive tona para-ekzistuese”, theksoi zëvendës drejtoresha e përgjithshme, Clotilde Delbos.

Mos i humb