14:09 / E Enjte, 27 Shkurt 2020

​“Kalabria” me çerdhe të re, Ahmeti thotë se i plotëson të gjitha standardet

Bashkimi Evropian në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës kanë përuruar sot çerdhen “Cicërimat” në lagjen “Kalabria” të Prishtinës me kapacitet të përgjithshëm për 120 fëmijë.

Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti tha se kjo çerdhe i plotëson të gjitha standardet e nevojshme për fëmijë, derisa bëri të ditur se projekti për ndërtimin e çerdheve do të vazhdojë në lagjen “Dardania”.

“Kjo është çerdhja e parë në këtë lagje. Falënderoj Komisionin Evropian që e ka financuar këtë çerdhe me 620 mijë euro për 120 fëmijë. 85 janë pranuar menjëherë dhe të hënën fillon puna… Me KE-në tash kemi çerdhen e radhës në “Dardani” për shkak të kërkesës së madhe në lagje. Besoj që javën e ardhshme del në tender, ndërsa në ketë periudhë jemi duke i projek tuar me arkitektët tanë çerdhet në “Kolovicë” dhe “Veternik”, të cilat janë tepër të rëndësishme. Besoj që me ketë arrimë diku 20 çerdhe në Komunën e Prishtinës, ku nuk kemi më asnjë lagje pa çerdhe. Ideja është që para përfundimit të mandatit tim t’i përfundojmë edhe këto dy çerdhe”, u shpreh Ahmeti.

Luigi Brusa nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë tha se investimet nga IPA-ja për ndërtimin e çerdheve për fëmijë, do të ndihmojnë në edukimin e gjeneratave të reja. Ai me këtë rast ka bërë të ditur se shumë shpejt edhe 6 çerdhe të reja do të ndërtohen në të gjithë Kosovën.

“Kjo ndërtesë do të ndihmojë në mbrojtjen dhe formimin dhe edukimin e gjeneratave të reja. Në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe komunat e tjera së shpejti edhe 6 çerdhe të reja do të ndërtohen në tà « gjithë Kosovën me financimin e IPA-së dhe kjo tregon përkushtimin tonë për rininë dhe gjeneratat e ardhshme të Kosovës. Kemi besim në Kosovë dhe besojmë te gjeneratat e reja që po sjellin perspektiva të reja në vend dhe gjithashtu edhe ne kemi perspektiva të reja, pasi kemi një qeveri të re dhe energji të reja në çdo drejtim”, deklaroi Brusa.