12:17 / E Hënë, 09 Dhjetor 2019

​KOK-u shënon pesëvjetorin e anëtarësimit në KON

Komiteti Olimpik i Kosovës, do të shënojë sot ditën më historike të sportit të Kosovës, e cila theu izolimin shumëvjeçarë të sportit.

9 dhjetori 2014 do të mbetet përherë në histori të sportit të Kosovës, datë që shënoi anëtarësimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

Me këtë rast, KOK-u organizon mbrëmjen gala me rastin e 5-vjetorit të anëtarësimit të KOK-ut në KON.

Për ta nderuar KOK-un, në këtë ditë të veçantë, sot në Kosovë do të arrijnë presidentë të shumtë të komiteteve olimpike kombëtare.

Në mbrëmjen gala të pranishëm do të jenë: Krisztian Kulcsar, president i Komitetit Olimpik të Hungarisë, Mihail Claudio Covaliu, president i KO të Rumanisë, Bogdan Gabrovec, president i KO të Sllovenisë, Vasil Tupurkovski, president i KO të Maqedonisë së Veriut, Dushan Simonoviq, president i KO të Malit të Zi dhe Viron Bezhani, president i KO të Shqipërisë.

Një mysafir tjetër i lartë edhe Emanuel Macedo de Medeiros, president i Aleancës Globale të Integritetit Sportiv (SIGA) i shoqëruar nga Clare Disdale.

Krahas tyre, të pranishëm do të jenë edhe figurat më të larta politike të vendit, si edhe ato nga sporti, arti e kultura.

KOK-u u anëtarësua në KON në sesionin e 127-të të mbajtur në Monako, anëtarësim që ua kishte hapur më pas rrugën federatave sportive në vend për t’u anëtarësuar në federatat përkatëse ndërkombëtare.