14:32 / E Enjte, 18 Qershor 2020

​Komisioni hetimor për COVID-19, përplasen Mimoza Kusari me Bekim Haxhiun

Lista e dëshmitarëve që do të ftohen për intervistim ka ngjallur debat në mbledhjen e parë të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë COVID-19 nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Thirrja apo jo e ministrit aktual të Shëndetësisë Armend Zemaj për raportim nuk është përkrahur nga të gjithë deputetët, ndërkohë që është thënë se kjo listë do të zgjerohet në varësi të deklaratave të atyre që do të intervistohen.

Në mbledhjen e konstituimit të këtij komisionit, kryetarja Mimoza Kusari, tha se puna e komisionit do të fillojë me hartimin e planit të punës. Ajo bëri të ditur se do të kërkojnë nga Kuvendi i Kosovës buxhetin e nevojshëm për funksionimin e komisionit, ndërsa tha se do të angazhohen edhe ekspertë të cilët do t’iu ndihmojnë atyre.

Kusari tha se si komision deri më tash kanë dy materiale të punës, i pari tha se është drafti dhe një letër korrespodence nga kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, në të cilën është përshkruar korrespodenca në mes të akterëve në raport me donacionin i cili ka ardhur në Kosovë.

Ajo tha se për shkak se menaxhimi me pandeminë është duke vazhduar, ka propozuar në draftin e planit të punës që të mos kufizohen vetëm në qeverinë e kaluar, por edhe në këtë aktuale.

“Kam kërkuar që komisioni hetimor, për shkak se ne nuk kemi dalë nga kriza e pandemisë. Në fakt, numri i rasteve derisa është themeluar komisioni dhe jemi takuar tash numri i rasteve është shtuar dita-ditës. Si rrjedhojë e kësaj situate do të vazhdojë menaxhimi i pandemisë së shkaktuar nga COVID-19 dhe propozimi në draft-planin e punës që të mos kufizohemi në një vendimmarrje që lidhet me një qeveri, gjegjësisht të vazhdohet në proces për shkak se e njëjta procedurë përjashton zonën karantinë që është mbyllur zyrtarisht, procedura e pakos së rimëkëmbjes ekonomike, procedura e menaxhimit dhe e furnizimit me medikamente mjekësore është subjekt i diskutimit dhe duhet të vazhdojë. Prandaj, bashkërisht dakordohemi që në listë të jenë edhe vendimmarrësit politik është fjala se stafi civil mbetet i njëjtë të qeverisjes aktuale”, tha ajo.

Deputeti i AAK-së Shkumbin Demalija, ka kërkuar që në komision të ftohet edhe ministri i ri i Shëndetësisë Armend Zemaj, për shkak të deklaratave se ka pasur keqpërdorime nga ministri paraprak.

“Te lista e dëshmitarëve kisha pasur dëshirë që të jetë edhe ministri i ri i Shëndetësisë si dëshmitar, për shkak të deklarimeve të tij në publik të keqpërdorimeve të ndryshme dhe të kuptojmë vërtetësinë e tyre, në ato çka ka deklaruar në televizionet e Kosovës. Ne jemi trupë politike pavarësisht jemi pozitë apo opozitë le të shihet vërtetësia e deklaratave, pavarësisht se ka ardhur në krye të detyrës pas krijimit të qeverisë së re…Paraqitja publike qofsha edhe unë ai, kur dal dhe them në një medium se kam gjetur keqpërdorime dhe shihen shifra me lartësi të madhe të çmimeve që variojnë prej 6 deri në 200 euro, jo ne si komision, por aty duhet të ndërhyjë Prokuroria menjëherë”, tha ai.

Këtë e ka kundërshtuar deputeti i LDK-së Ekrem Hyseni, i cili tha se nëse do të vlerësohet puna e ministrit aktual, duhet të pezullohet puna e këtij komisioni apo të bëhet një komision tjetër.

“Ideja me e përfshi edhe aktivitetin e ministrit aktual, nuk e di sa është e ligjshme për arsye se po dalim se kjo kërkesë është bërë tri javë para se të vijë ai ministër dhe nuk paskam dëgjuar ndonjëherë se është bërë komision parlamentar për të vlerësuar punën e dikujt që vjen më vonë. Mendoj që këtë duhet ta shqyrtojmë. Mendoj që ose duhet të pezullohet puna e këtij komisioni derisa të përfundojë pandemia dhe i kryejnë punët komplet ose duhet ta bëjmë një kërkesë për një komision tjetër në të ardhmen, por jo me këtë komision, jo me këtë strukturë dhe jo me këtë vendim”, tha ai.

Kritika për listën e personave që do të ftohen për intervistim ka pasur edhe deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu. Ai tha se kërkesa dhe inicimi për këtë komision hetimor ka rrjedhur si pasojë e keqmenaxhmit dhe e humbjes së jetës së një të riu derisa ka qenë në karantinë nën mbikëqyrjen e shtetit.

“Më shumë keni futur në listë mjekët sesa përgjegjës e menaxherë institucionalë në menaxhimin e karantinës. Nuk është objektivi ynë i hetimit personeli shëndetësor, sepse ata e kanë kryer punën me përgjegjësi dhe përkushtim. Hetimi është i orientuar nga bartësit institucional qeveritar, ata që ishin dhe këta që janë. Neve na intereson baza ligjore kush dëshiron t’i lexojë ligjet, ligjet janë në fuqi dhe ne nuk kemi pse të aprovojmë listë të ligjeve, sepse ligjet janë. Për secilën procedurë, nëse flasim për një donacion të ardhur nga Serbia dihet ligji e parasheh mënyrën se si duhet të vijnë donacionet. I pari që ne duhet ta intervistojmë në listën e dëshmitarëve janë zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë sipas hierarkisë, ministri Vitia dhe zëvendësministrat, sekretari permanent, udhëheqësit e qendrës operative, udhëheqësit e qendrës së karantinës, menaxheri i prokurimit dhe pastaj kalojmë te Ministria e Punëve të Brendshme atëherë”, tha ai.

Haxhiu tha se hetimi duhet të jetë i paanshëm dhe profesional, derisa shtoi se nuk është i interesuar të bëjë politikë, por që të bëhet një raport përfundimtar real për gjendjen.

Ndaj deklaratës së deputetit Haxhiu, ka reaguar kryetarja e Komisionit, Mimoza Kusari, e cila tha se lista e dëshmitarëve mund të zgjerohet, derisa e ka akuzuar që po bënë politikë.

Kusari: E para thatë që nuk jemi këtu për të bërë politikë, por mendoj që ju bash bëtë politikë

Video

“Më duhet edhe zyrtarisht mos të pajtohem me ju z.Haxhiu, e para thatë që nuk jemi këtu për të bërë politikë, por mendoj që ju bash bëtë politikë, për arsye se konstatuat, folët për blerje abuzive, folët për çmime të shtrenjta, folët për paqartësi në vendimmarrje, u përmend natyrisht rasti tragjik i vdekjes së Agon Musliut në karantinë. Unë në të gjitha këto e di që ose ka proces ligjor i cili është në kuadër të prokurorisë për hetime apo edhe nëse ka ose siç pretendoni ju blerje abuzive, të paktën mund të dakordohemi që të themi dyshimet për blerje abuzive”, tha ajo.

Sa i përket listës së dëshmitarëve, Kusari tha se nuk është e finalizuar dhe se mund të zgjerohet.

Bekim Haxhiu i PDK-së, iu përgjigj kryetares së komisionit se nuk është komentuese e deklaratave të tyre.

“Ju jeni veç një udhëheqëse e komisionit dhe nuk jeni komentuese e fjalimeve tona dhe të paktën nëse i komentoni fjalimet tona referohuni ashtu siç i thamë, unë nuk thash nuk kemi nevojë për ligje, unë thash që ligjet janë në fuqi edhe për çështje të caktuara kushdo prej deputetëve që është në komision hetimor i nxjerr ato edhe i lexon nuk kemi nevojë me i listua ligjet. E dyta, sa i përket blerjes abuzive të barnave, prapë edhe atu e ndryshuat, thash raportimet në media për blerje abuzive të barnave. Pra, ka pasur raportime në media për blerje abuzive të barnave”, tha ai.

Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë COVID-19 nga ana e Qeverisë së Kosovës është votuar me 4 qershor, ndërsa do të ketë mandat deri në dhjetor të këtij viti.