08:35 / E Enjte, 13 Qershor 2019

​Kuvendi, sot 5 orë debat për shkarkimin e presidentit Meta

Pesë orë debat kanë menduar të zhvillojnë deputetët e shumicës në Kuvendin e Shqipërisë për shkarkimin e presidentit, Ilir Meta.

Konferenca e Kryetarëve ka caktuar rreth 170 minuta kohë për deputetët socialistë dhe 130 minuta kohë për opozitën e re në seancën e sotme, ku do të diskutohet në lidhje me dekretin e Presidentit për anulimin e datës së zgjedhjeve.

Në draft rezolutën e hartuar tashmë nga socialistët dhe që pritet të votohet në fund të seancës së të enjtes veprimi i Presidentit konsiderohet nul.           

Sipas socialistëve ky akt tenton të ndërhyjë drejtpërdrejtë në një proces që tashmë është në kompetencë të organit administrues të tij dhe si i tillë duhet shqyrtuar dhe vlerësuar nga organet e administrimit zgjedhor të parashikuara në Kodin Zgjedhor.Në fund të rezolutës mazhoranca i kërkon Presidentit të reflektojë.

“Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës”.PS e konsideron një moment historik për vendin këtë periudhë para vendimit për çeljen ose jo të negociatave me BE, ndaj edhe shprehet në këtë rezolutë se njeh të drejtën e qytetarëve për të protestuar, por vlerëson se dialogu politik dhe institucional midis aktorëve politikë, parlamentarë dhe jo parlamentarë është rruga e vetme që njeh demokracia funksionale për bashkëjetesën politike dhe shoqërore.