22:45 / E Mërkurë, 20 Prill 2022 / GF

​Libri me dy vëllime i ambasadorit Dervishi promovohet në Prishtinë, vlerësohet kontributi për çështjen e Kosovës

Kosova nuk ka qenë asnjëherë e ndarë nga veprimtaria e ambasadorit Dashnor Dervishi, i cili zyrtarisht ka shërbyer si ambasador fuqiplotë i Shqipërisë në 7 vende të ndryshme e në dy sisteme të ndryshme, por gjithnjë çështja e Kosovës ka qenë pjesë e aktivitetit të tij.

Të gjitha këto angazhime të ambasadorit Dervishi janë paraqitur në librin me dy vëllime “50 vjet marrëdhënie me jashtë” që u promovua mbrëmjen e sotme në Prishtinë, nën organizimin e Universitetit të Prishtinës dhe Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë.

Në vitin 1986, Dervishi ishte emëruar për herë të parë ambasador i Shqipërisë në Meksikë dhe mbulonte edhe 12 vende të tjera Amerikës Latine dhe Qendrore, si ambasador jo rezident, duke vazhduar si ambasador deri në vitin 1992 në Itali dhe Maltë. Ai ka shërbyer si ambasador edhe ne shtete si Izraeli, Turqia, Rumania dhe Greqia, si dhe në Qipro, Armeni dhe Tunizi, si ambasador jorezident.

Në promovimin e këtij libri, rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, deklaroi se këto dy vëllime janë pasuri për shoqërinë shqiptare e në veçanti për ata që veprimtari të tyre kanë diplomacinë dhe marrëdhëniet me jashtë.

“Që nga sot sirtarët e bibliotekave shqiptare do të kenë në përbërje të tyre dy vëllime të një kalibri të lartë dedikuar misionit diplomatik dhe shërbimit t jashtëm të ambasadorit Dervishi… Të dy vëllimet do të jenë një dritare më shumë në shërbim të profesionistëve të cilët shërbimin diplomatik dhe marrëdhëniet me jashtë i kanë fushëveprimit… I vetëdijshëm për rolin dhe rëndësinë e vëllimeve me marrëdhëniet me jashtë kam bindjen që këto vëllime do të mbeten më rendësi të veçantë gjithnjë”, tha Sahiti.

Ambasadori i Shqipërisë në vendin tonë, Qemal Minxhozi, pasi përshkroi aktivitetin diplomatik të ambasadorit Dervishi, u shpreh se i njëjti është marrë shumë me çështjen e Kosovës duke e vlerësuar për kontributin e tij për të ngritur zërin për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës.

“Ajo që e bën më të veçantë ambasador Dervishi është fakti që është marrë shumë me çështjen e Kosovës, gjatë periudhës moniste por edhe më vonë, edhe tani, dhe libri, të dy botimet e tij, trajtojnë shumë qartë edhe qëndrimin e Shqipërisë qëndrimin e vendeve aleate përsa i përket çështjes së Kosovës. Ambasador Dervishi është një hulumtim shumë i mirë i marrëdhënieve edhe të vendeve të tjera të Ballkanit, lidhur edhe me Kosovën”, tha Minxhozi.

Në fjalën e tij, autori i librit, ambasadori Dervishi u shpreh se ndjehet i emocionuar që po promovon në Prishtinë këto dy vëllime ndërsa shtoi se në veprimtarinë e tij nuk e ka ndarë Kosovën.

“Pavarësisht se kam shërbyer në sisteme të ndryshme shoqërore dhe me shumë qeveri, tre konkluzionet e rëndësishme dalin: Interesat strategjike te vendit mbeten të njëjta në themele të politikës së jashtme të çdo vendi, pavarësisht nga sistemi apo qeveria. Diplomati në shërbim të këtyre interesave mbetet një misionar, zyrtarisht kam përfaqësues shtetin shqiptar por në gjithë veprimtarinë time, ashtu si çdo diplomatët, ka qenë e mbetet përfaqësimi i interesave të kombit shqiptar, të trevave dhe të popullsisë shqiptare kudo ku ata ndodhen”, deklaroi ambasadori Dervishi.

Ambasadori Dervishi u shpreh se, pavarësisht se libri mund të duket si kujtime personale, në të vërtetë mban ngjarje dhe fakte reale të dokumentuara me fotografi dhe dokumente origjinale.

“Libri është shkruar duke u bazuar në shënimet, informacione dhe analizat për Ministrinë e Jashtme, si dhe në kujtesën dhe përshtypjet e mia të kohës të cilat shoqërohen me fotografi dhe dokumente origjinale. Duket në libër sikur kemi të bëjmë me kujtime personale por në fakt shënimet e hedhura janë kryesisht ngjarje, fakte reale dhe fenomene të ndodhura gjatë veprimtarisë sime diplomatike. Gjatë përgatitjes për botim, ato me tingëllonin aktuale edhe për sot”, vijoi Dervishi.

Në fjalën e tij, ai foli shkurt edhe për angazhime te tij për çështjen e Kosovës në periudha të ndryshme dhe në vendet ku ka shërbyer e të cilat mund të gjenden të pasqyruara në librin e tij.