14:43 / E Enjte, 09 Korrik 2020

​Lista Serbe, përplaset me Vjosa Osmanin për postin e kryetares së Kuvendit

Vjosa Osmani dhe Goran Simiqi nga Lista Serbe janë përplasur keq në seancën e Legjislativit lidhur me zgjedhjen e kryetares së Kuvendit.

Deputeti nga radhët e partisë që përfaqëson komunitetin serb në Kosovë, ka akuzuar të parën e Kuvendit se në këtë pozitë ka ardhur me votat e Listës Serbe.

Madje, Simiqi akuzoi Osmanin se ka ndjekur korridoreve të Kuvendit deputetët serbë për të siguruar votat.

E kjo shkaktoi reagimin e Vjosa Osmanit, e cila pohimet e deputetit serb i ka quajtur gënjeshtra.

“Dua t’ju përkujtoj zonja kryetare se kur sulmoni në këtë mënyrë deputetët dhe ministrat e Listës Serbe, se në pozitën në të cilën jeni tashti keni ardhur duke falënderuar veçmas votave të Listës Serbe. Po jua përkujtoj se në korridoret e kësaj ndërtese keni vrapuar që të siguronit dhjetë vota për zgjedhjen tuaj dhe atëherë nuk ishte në pyetje as politika e Listës Serbe dhe as veprimet e saj. Përnjëherë kjo ndryshoi dhe këtë ju mund ta shpjegoni”, tha Simiqi.

Ai ka mohuar pohimet se zëvendëskryeministri Goran Rakiq ka vepruar në kundërshtim me ligjet e Kosovës për shpalljen e gjendjes së karantinës në veri, duke vepruar kështu në pajtim me urdhrat e Serbisë dhe presidentit të saj Aleksandar Vuçiq.

Simiqi është shprehur kundër projektrezolutës së propozuar nga kryetarja Osmani, duke thënë se ajo është e papranueshme dhe shkelet e drejta e deputetëve të Listës Serbe për të vepruar në pajtim me interesat për qytetarët serbë.

E pas kësaj reagoi kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani, e cila i quajti gënjeshtra pohimet e Simiqit se ajo kishte kërkuar votën e Listës Serbe për t’u zgjidhur kryetare e Kuvendit.

“Unë kurrë në jetën time nuk e kam ndjekur askënd korridoreve për asnjë votë. Kjo është një gënjeshtër e madhe nga ju… Nëse kur më keni votuar, keni menduar se unë do të përkrahja këdo që i bashkohet presidentit Vuçiq në beteja diplomatike e politike, e keni pasur gabim… Të gjithë e dinë se s’keni votuar për mua si person, por për themelimin e institucioneve”, tha Osmani.

Mos i humb