23:37 / E Mërkurë, 22 Qershor 2022 / AR

​Lufta kundër kancerit të lëkurës: Aplikacioni i ri mat rrezatimin UV

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka prezantuar një aplikacion të ri në telefonat e mençur që regjistron informacione për nivelet e rrezatimit ultravjollcë (UV) dhe paralajmëron kur duhet të aplikohet mbrojtja nga dielli.

SunSmart Global UV është zhvilluar në partneritet me Organizatën Botërore Meteorologjike (WMO), Programin e Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP) dhe Organizatën Ndërkombëtare të Punës (ILO), është falas dhe synon “të zvogëlojë barrën globale të kancerit të lëkurës dhe UV-së.

“Dëshmitë tregojnë se ekspozimi i tepërt UV është shkaku kryesor i kancerit të lëkurës. Është e rëndësishme që njerëzit të dinë se kur dhe si të mbrohen”, tha Maria Neira, drejtore e Departamentit të Mjedisit, Ndryshimeve Klimatike dhe Shëndetit të OBSH-së.

Aplikacioni përdor të dhënat aktuale nga shërbimet e motit. Vlerësohet se më shumë se 1.5 milionë raste të kancerit të lëkurës janë diagnostikuar globalisht në vitin 2020, sipas OBSH-së.

“Në të njëjtën periudhë, më shumë se 120.000 njerëz në mbarë botën humbën jetën për shkak të kësaj sëmundjeje të parandalueshme”, thuhet në deklaratën e OBSH-së.

Gjatë verës, niveli i rrezatimit UV është veçanërisht i lartë dhe mbrojtja e lëkurës është e rëndësishme. Në varësi të llojit të lëkurës, djegiet mund të shfaqen vetëm pas 15 minutash në diell pa mbrojtje. Rrezatimi UV vlerësohet në një shkallë nga 1 (i ulët) në 11 ose më shumë (ekstrem).

Mbrojtja nga dielli rekomandohet nga niveli 3. Në Evropë, rrezatimi shpesh arrin nivelin 8 gjatë ditëve të verës, sipas WMO.