16:11 / E Mërkurë, 24 Qershor 2020

​Në maj shënohet deficit më i ulët tregtar me 30.9 për qind

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për 30.9% në maj 2020, në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, gjegjësisht në vlerë prej 200.3 milionë euro, krahasuar me deficitin 289.7 milionë eurosh, sa ishte në vitin 2019. Eksporti mbulon importin me 16.2 për qind.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin maj 2020.

Eksporti i mallrave në muajin maj 2020 kishte vlerën 38.7 milionë euro, ndërsa importi 239 milionë euro, që është një rritje prej 21.6% për eksport dhe një rënie prej 25.7% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 44.2% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 10.8% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 8.4% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 14.5% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 12.9% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10.9% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 15 milionë euro, ose rreth 38.8% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 28.8%.

Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë Gjermania (6.8%), Italia (5.2%), Britani e Madhe (3.4%), Holanda (3.4%), Suedia (3.1%), etj.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 103.7 milionë euro, ose 43.4% e importeve të përgjithshme, me një rënie prej 37.5%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga Gjermania (10.7%), Italia (5.9%), Greqia (4.7%), Polonia (3.2%), etj.

Në muajin maj 2020, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 18.3 milionë Euro, ose 47.3% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 17.5%.

Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë Shqipëria (28.8%), Maqedonia e Veriut (8.9%), Serbia (5.1%), dhe Mali i Zi (3.2%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin maj 2020, arritën në 52.7 milionë euro, ose 22.1% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 4.6%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (7.7%), Maqedonia e Veriut (6.1%) dhe Shqipëria (5.7%).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 5.3 milionë euro ose 13.9%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmendet Zvicra (7.4%).

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 82.6 milionë euro, ose 34.6%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin Turqia (12.7%) dhe Kina (10.3%).

Mos i humb