20:02 / E Mërkurë, 12 Gusht 2020

​OSBE kërkon rishqyrtimin e dispozitave të projektligjit për vlerat e UÇK-së

Misioni i OSBE-së në Kosovë i ka bërë sot thirrje Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që t’i rishqyrtojnë dispozitat e projektligjit për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, të cilat, siç thuhet, do të cenonin lirinë e shprehjes.

Në këtë kontekst, OSBE kërkon vëmendje të veçantë për nenin 5 të këtij projektligji, i cili ‘do të cenonte lirinë e shprehjes dhe të drejtën e individëve për t’i shprehur bindjet e tyre personale dhe pikëpamjet politike’.

“Ne ndajmë shqetësimet e shprehura nga Ambasada e SHBA-së, Zyra e BE-së dhe miqtë e tjerë të Kosovës, përfshirë ambasadën gjermane dhe atë zvicerane, të cilat e kanë ngritur zërin e tyre lidhur me këtë ligj. Kosova ka kornizë të avancuar ligjore, në përputhje me standardet evropiane, e cila mbron lirinë e shprehjes dhe të drejtat dhe liritë e tjera të arritura me mund të madh. Por, sikur këto mbrojtje do të vlenin vetëm për idetë popullore, ato nuk do të ishin të nevojshme. Demokracia kërkon tolerancë për mospajtimet dhe respektim për mosmarrëveshjet, madje edhe për çështje me rëndësi thelbësore historike”, thuhet në një postim të misionit të OSBE-së në Facebook.

Ndryshe, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Gazmend Bytyqi, i cili është iniciues i ligjit, ka thënë se projektligji për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ia cenon askujt lirinë e shprehjes.

Ndërsa, kryetari i OVL e UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se ambasadori amerikan në Prishtinë Philip Kosnett ka pasur vërejtje në dy nenet e këtij ligji dhe jo si tërësi.

Neni i pestë i ligjit për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës parasheh që çdo zyrtar publik dhe qytetar i Kosovës detyrohet t’i respektojë dhe mbrojë vlerat e luftës të përcaktuara me ligj në çdo kohë dhe rrethanë brenda dhe jashtë vendit.

Ndërsa, neni i nëntë parasheh që shkelja e dispozitave të këtij ligji sanksionohen sipas legjislacionit në fuqi.

Projektligji i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, parasheh përcaktimin e obligimit institucional dhe qytetar për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së.

Vlerë e luftës, sipas këtij projektligji, është lufta e armatosur e popullit të Kosovës, e udhëhequr nga UÇK, vetë UÇK-ja si formacion ushtarak i armatosur, veterani i UÇK-së, flamuri, betimi i ushtarit, stema, Shtabi i Përgjithshëm, Drejtoria Politike, Shtabet e zonave operative, arkiva, si dhe Kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe komplekset tjera.

Projektligji parasheh respektimin e vlerave të luftës, mbrojtje institucionale, Muzeun e Luftës, Ditën e përkujtimit të luftës për çlirim, dispozitat ndëshkimore, si dhe aktet nënligjore.

Në rast se projektligji aktual për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së miratohet në Kuvendin e Kosovë, si ligj do të ketë implikimet buxhetore prej 2 milionë e 250 mijë euro, pa i llogaritur edhe investimet për ndërtimin e Muzeut të Luftës.

Projektligji për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, është propozuar nga PDK, fillimisht në prill 2018, ndërkaq në tetor të po atij viti ishte shqyrtuar në parim nga Komisioni i njëjtë funksional.

Por, sipas zyrtarëve të PDK-së, procedimi i mëtejmë i këtij projektligji kishte ngecur për shkak të ndryshimeve në udhëheqjen e ekzekutivit të vendit, gjatë vitit 2019. Më 30 prill 2020, Partia Demokratike e Kosovës, sërish i ka propozuar Kuvendit të Kosovës të njëjtin projektligj, pa ndonjë ndryshim në përmbajtje.

Propozimin, në emër të Partisë Demokratike të Kosovës e ka bërë deputeti Gazmend Bytyqi, por Kuvendi i Kosovës së fundi nuk ka miratuar ligjin në fjalë në mungesë të kuorumit derisa pritet të miratohet nesër në parim.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë Philip Kosnett ka thënë se ky ligj, pa marrë parasysh qëllimet e tij, nuk është në përputhje me zotimin për liritë themelore që janë në thelb të Kushtetutës së Kosovës. Sipas tij, miratimi i ligjit, në formën e tanishme, do të dobësonte demokracinë e Kosovës.

Mos i humb