Panair i suksesshëm në vend të papërshtatshëm
Pjesëmarrësit e Panairit të Librit “Prishtina 2018” shprehen të kënaqur me interesimin e lexuesve për librin, teksa shprehen të zhgënjyer me ambientin ku është vendosur panairi.
Kjo pasi që sipas tyre, as ky jubile nuk i përmbushi kushtet e nevojshme për një panair të mirëfilltë të librit.Përfaqësues të shtëpive botuese dhe dashamirë të librit bëjnë apel për krijimin e një ambienti që ofron kushte më të përshtatshme për prezantimin dhe promovimin e librit. Drejtori i shtëpisë botuese “PEMA”, Edon Zeneli, tha për KosovaPress se këtë vit është vërejtur që Shoqata e Botuesve të Kosovës ka investuar në aspektin estetik, por problem kryesor është se nuk ka një sallë të denjë panairesh dhe ekspozitash. Gjatë ditëve të panairit, Zeneli tha se ka pasur interesim të madh të qytetarëve për librin, por edhe shitje më e mirë e librit.
Ai shtoi se ndjehet mirë pasi që dy librat e shtëpisë botuese “Pema”, “Kthimi” i Albatros Rexhajt dhe “Inteligjenca emocionale” i Daniel Goleman ishin dy librat që i prinë listës së librave më të shitur të panairit të sivjetmë.
Ndërsa Albana Velianj, përgjegjëse e botimeve shkencore dhe bibliotekës në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, ka bërë dallimin mes ambientit ku mbahet panairi i librit në Prishtinë dhe atij në Tiranë.
Në një prononcim për KosovaPress, Velianj tha se përkundër asaj se në këtë jubile, pati rritje të të interesuarve për librin, ambienti lë për të dëshiruar.
Për lexuesen Burbuqe Gashi, e cila kishte ardhur nga Klina për të blerë libra, e mira e këtij panairi është se aty gjen literaturën që e kërkon. Ajo tha për KosovaPress se falë interesimit për librin, ndër vite ka arritur të organizojë në shtëpinë e saj një bibliotekë të vogël.
Shoqata e Botuesve të Kosovës gjatë ditës së sotme ka bërë publik edhe 5 librat më të shitur nga autorë shqiptarë dhe ndërkombëtar.
Listës së librave më të shitur nga autorë shqiptarë i prinë “Kthimi” i autorit Albatros Rexhaj, pasuar nga “Lopa e makiatos” e Veton Surroit. Ndërsa “Vepra e plotë në prozën e shkurtër” i Ismail Kadaresë, “Mësimet e Diolës” i Diola Baftiut dhe “Veprat për Sanxhakun e Nishit” i Sabit Ukës, ishin tri librat tjera më të shitura. Nga autorët e përkthyer u veçuan librat: “Inteligjenca emocionale”, “Njëfarë z.Piekielny”, “Fiset shqiptare”, Historia e vajzës së humbur” dhe “Homo Deus”. Ndryshe, Panairi i librit “Prishtina 2018” u hap më 5 qershor, për të vazhduar deri sot pasdite ku rreth orës 16 ka filluar edhe mbyllja e tendave, e në të cilin u prezantuan mbi 1 mijë e 400 tituj. Panairi i ardhshëm do të mbahet nga data 4 deri 19 qershor 2019.