16:16 / E Mërkurë, 23 Shtator 2020

​Vaksina kundër COVID-19, “Johnson & Johnson” nis fazën e tretë të testimeve

Kompania farmaceutike amerikane “Johnson & Johnson” sot tha se ka nisur fazën e tretë të testimeve për vaksinën e mundshme kundër COVID-19

Për zbatimin e testit të vaksinës pritet të regjistrohen 60 mijë vullnetarë në 3 kontinente për të studiuar sigurinë dhe efikasitetin e një doze të vetme të vaksinës kundrejt placebo në parandalimin e koronavirusit të ri.

Kryetari dhe drejtori ekzekutiv, Alex Gorsky në një deklaratë tha se kompania do të kujdeset për “standardet e sigurisë” dhe “transparencës” gjatë testimit.

Kompania me bazë në New Jersey të SHBA-së tha se synon të sigurojë 1 miliard doza të vaksinës së suksesshme çdo vit.

Përderisa shpërndarja e mjekimit për miliona njerëz në të gjithë botën mbetet një çështje, kompania tha se vaksina e saj, nëse është e suksesshme nuk do të kërkonte infrastrukturë të re për të arritur tek njerëzit që kanë nevojë për të, sepse pritet të mbetet e qëndrueshme për dy vite në minus 20 gradë Celsius.

Kandidati për vaksinë kundër COVID-19 Johnson & Johnson do të marrë ndihmë nga një platformë teknologjike që u përdor gjithashtu për të zhvilluar dhe prodhuar vaksinën e aprovuar kundër Ebola-s dhe për bërjen e vaksinave kandidate për HIV.

Platforma është përdorur për të vaksinuar më shumë se 100 mijë njerëz deri më sot përmes programeve të ndryshme të vaksinave.

Ndërsa numri i rasteve globale të COVID-19 ka shkuar mbi 31.6 milionë më shumë se 970.000 njerëz kanë humbur jetën, tregojnë të dhënat Universitetit “Johns Hopkins”./tch